HISTORIKE: Talat Xhaferi bëhet kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Talat Xhaferi është betuar si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ai është bërë kryeministër me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim nga 111 deputetë sa ishin në sallë.

Betimi i tij u bë para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së Qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski.

Xhaferi do të qeverisë për 100 ditë pasi bëhet fjalë për një qeveri teknike. Ai i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.

Xhaferi nga foltorja e Kuvendit: Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë

Politikani shqiptar, Talat Xhaferi, i cili së shpejti pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është duke e mbajtur fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit si mandatar për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se këtë mandat do ta pranojë me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, raporton Klan Kosova.

“Pranoj mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë, me shpresë se propozimi që keni sot para vetes do të jetë përbërja që do të përmbush përgjegjësitë ndaj qytetarëve tanë. Këtë propozim e bëj me marrëveshjen e partive më të mëdha në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë mandatari Xhaferi.

Kush është Talat Xhaferit, kryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut?

Pak shqiptarë e dinë se ku është fshati Forinë. Por, atë e bëri të njohur politikani Talat Xhaferi që lindi në këtë fshat të Gostivarit më 15 prill 1962.

Shkollën fillore e kreu në Çegran, për të vazhduar shkollimin e mesëm në shkollën e lartë ushtarake në Beograd.

Ai studioi në Akademinë Ushtarake për Këmbësori të Armatës Popullore të Jugosllavisë, prej nga doli si oficer dhe u caktua me detyra komanduese më 1985. Këtë punë e vazhdoi deri më 1991 kur Republika e Maqedonisë u pavarësua na Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë.

Një vit më vonë iu bashkua armatës së Maqedonisë. Por më 2001 ai la detyrën e komandantit të kazermës në Tetovë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Marrëveshja e Ohrit mbylli luftën në Maqedoni dhe amnistoi shqiptarët që ishin pjesë e UÇK-së. Pas me shumë se dy dekada, Talat Xhaferi zhveshi uniformën, të cilën e zëvendësoi me kollare.

Ai u bë pjesë e BDI-së dhe mori mandatin e deputetit. Më 2013 mori postin e ministrit të mbrojtjes. Maqedonasit, nuk e duronin dot një ish-komandant të UCK-së të vjen në krye të armatës së këtij shteti.

Pavarësisht protestave kundër emërimit të tij, u zotua se do ta dërgoj mandatin deri në fund.

“Nuk ka forcë që më largon”, tha Xhaferi, kur ishte Minitër i Mbrojtjes, më nëntë mars të vitit 2013.

Ai, hidhëroi edhe më tepër ata, kur si lider ushtrie, vizitoi lapidarin e dëshmorëve të UÇK-së. Por, emri i Xhaferit u bë edhe më i urryer, nga një pjesë e maqedonasve, më 2017, kur u nominua për kryetar të parlamentit të shtetit, në seancën konstituive të kuvendit të ri, më 27 mars.

VMRO nuk e donte atë për shef të Sobranies, dhe tash e një muaj vendi ishte në krizë.

Por, koalicioni i LSDM-së me partitë shqiptare ia doli ta zgjedh Xhaferin kryekuvendar të enjten. Ky veprim ishte dicka që nuk e gëlltitën dot një pjesë e maqedonasve.

Grupe huliganësh hynë në parlament, duke rrahur deputetët. Megjithatë, Xhaferi bëri historinë. Ai u zgjodh kryetari i parë shqiptarë i Kuvendit të Maqedonisë.

Nuk vonoi shumë ai bëri edhe një veprim tjetër historik. E drejtoi seancën paralamentare në gjuhën shqipe.

Kuvendin e Maqedonisë e drejtoi deri në fund të kësaj jave kur dha dorëheqje.

Largimi nga parlamenti, përsëri i bëri vend në histori Talat Xhaferit. Ai të dielën bëhet kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. /Klankosova.tv

Lexo gjithashtu
Total
0
Share