Goro: Investimet po japin efekt
Mjafton një shëtitje drejt vijës bregdetare jugore për të kuptuar se sezoni turistik ende nuk është mbyllur plotësisht.
Plazheve të Himarës ka pushues, kryesisht të huaj.
“Bashkia e Himarës është zemra e turizmit në Shqipëri, vitet e fundit qeveria shqiptare, investitorët, bashkia ka ndërhyrë shumë. Viti 2022 ka qenë pak më lart se viti 2019, sepse turizmi ka qenë në kohë më i gjatë, ka filluar në muajin Prill dhe akoma nuk ka mbaruar, kjo do të thotë që puna që është bërë, investimet po e japin efektin e vet”, thotë Jorgo Goro, kryetari i bashkisë së Himarës.
Ndërhyrjet në infrastrukturë, sheshe, në rrugë të brendshme të fshatrave buzë detit dhe larg tij apo edhe rinovimi i banesave karakteristike e kanë dhënë efektin e pritshëm e rritjen e numrit të pushuesve. Të tjera investime janë planifikuar.
Shëtitoreve të Dhërmiut, Jalës, Qeparosë do i shtohen edhe ato të Drimadhës dhe Borshit. Ndërsa ajo e Himarës do zgjerohet edhe më tej.
“Ky është një koordinim i plotë i pushtetit lokal me qendror. Do kemi edhe lote të tjera për shëtitoren e Himarës, do jetë loti nga Porti deri këtu ku fillon shëtitorja e re, pastaj nga shëtitorja e re deri në zonën e Potamit”.
Investimet në bashkinë Himarë po fokusohen së fundmi në furnizimin me ujë dhe përmirësimin e impianteve për ujërat e ndotura.
“Ka filluar projekti i ujësjellësit të madh të qytetit të Himarës, i cili do kapë gjithë pellgun nga Vunoi, Qeparoi, Borshi të cilat bëhen me ujë të rrjedhshëm 24 orë, dhe në të njëjtën kohë bëhen edhe impianti i qytetit dhe ujërat e ndotura”.
Himara nuk ofron për pushuesit vetëm detin e pastër, por edhe fshatrat me ndërtime karakteristike. Prandaj rikonstruksioni i rrugëve që të çojnë drejt tyre dhe rijetëzimi i qendrës së çdo fshati ka tepër rëndësi.
“Tashmë faza e dytë konvergjon në pjesën e infrastrukturës së brendshme, pra rrugët e brendshme të fshatrave dhe fasadat, si në rastet e Vunoit dhe Dhërmiut, kanë pësuar një transformim total, ajo është destinacioni i të gjithë fshatrave të bashkisë së Himarës”.
Rreth 44 mijë pushues mesatarisht në ditë e kanë vizituar Himarën për këtë sezon turistik, një numër ky që drejtuesit e pushtetit lokal presin të rritet ndjeshëm, pas investimeve të planifikuara për rijetëzimin e bregdetit dhe shtimin e kapaciteteve akomoduese bashkëkohore.
Klan News