Haradinaj: S’mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it, misioni i tyre është i qartë dhe i pastër si loti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që t’i largojë serbët nga barrikadat e vendosur në veri të vendit.

Në një konferencë për medie, kreu i AAK-së ka thënë se barrikadat nuk e ndihmojnë dialogun dhe se sipas tij, ato janë vetëm interes i presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai ka shtuar se deklarimet dhe veprimet e pamatura të kryeministrit Kurti dhe të njerëzve të tij, veç sa e kanë komplikuar situatën.

Haradinaj ka kërkuar nga serbët e Kosovës të mos bien pre e kalkulimeve politike të Vuçiqit dhe të askujt tjetër.

Sipas tij, s’mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it, ngase misioni i tyre është i qartë dhe i pastër si loti.

“Situata në veri të Kosovë po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar. Platforma luftënxitëse e Vuçiqit dhe njerëzve të tij të instaluar në veri, po i kalon vijat e kuqe. Ai duhet urgjentisht t’i tërheq njerëzit e tij nga veriu dhe urdhërojë heqjen e barrikadave e t’i kthehet tryezës së bisedimeve”.

“Ai nuk mund ta sfidojë Kosovën e përcaktuar për paqe. Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen për njohje të ndërsjellë në raport me Kosovën, është kapitull që është mbyllur në vitin 1999”, tha Haradinaj.

“Fatkeqësisht as Kurti e as njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt. Veprimet dhe deklarimet e pamatura të tyre, në vazhdimësi e specifikisht në këtë 3 muaj, veç sa e kanë bërë situatën më të rëndë. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, nuk është palë, prandaj edhe nuk mund të konsiderohet si i tillë”.

“Nuk mund t’i vendosen kurrfarë afatesh KFOR-it. Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Uashnigtoni e as Brukseli”, tha tutje Haradinaj.

Haradinaj ka pasur edhe një kërkesë për serbët në atë pjesë, raporton EO.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se perspektiva jonë e përbashkët është njohja e paqja midis nesh dhe kjo nuk arrihet pa ata që na kanë shpëtuar në një kohë.

“Ata janë aleatë të paqës e të sigurisë në Kosovë, dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese ndaj tyre. E ardhmja e Kosovës është e lidhur përjetësisht me aleatët perëndimor, posaçërisht me Amerikën”.

“Kam një kërkesë edhe për serbët e Kosovës. Të mos bije pre e kalkulimeve politike të askujt, e as të Vuçiqit. Të mos bëhen dëm kolateral. E ardhmja e tyre është në Kosovë. është në paqe dhe në harmoni më gjithë të tjerët, prandaj largohuni nga barrikadat”, tha Haradinaj.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share