Haradinaj: Është investuar shumë për paqen në Kosovë, andaj askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar prapë ndaj situatës në veri të vendit, ku grupet kriminale serbe kanë vendosur barrikada, të cilët mbrëmë kanë shkëmbyer zjarr me pjesëtarët e policisë.

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se këto sulme janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Haradinaj kërkoi urgjentisht nga Beogradi që të heqë dorë nga veprimet luftënxitëse.

“Sulmet e grupeve kriminale ndaj Eulex-it dhe Policisë së Kosovës në veri, janë goditje e rëndë mbi paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon! Beogradi duhet që urgjentisht të heqë dorë nga veprimet e veta destabilizuese e luftënxitëse me pasoja të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai shtoi se për paqen është investuar shumë dhe, sipas tij, askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë.

“Është investuar shumë për paqen dhe askush nuk do të lejohet ta rrezikojë atë. Sot, është momenti i fundit që regjimi në Beograd t’i thërrasë arsyes dhe ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe këtë ta pranojë edhe në tavolinën e bisedimeve”, ka shtuar ai.

“Luftërat në Ballkan janë kapitull i mbyllur”, ka përfunduar Haradinaj.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share