Hapja e Kolegjit Europian në Tiranë, Rama: Mundësi për një arsim të nivelit më të lartë

Studentët nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor, por edhe nga Europa e më gjerë mund të aplikojnë online për të studiuar në Kolegjin Europian të Bryzhit. Kolegji i Europës do të çelë nesër dyert në Tiranë, me të parin kampus jashtë BE, duke i hapur dyert njëkohësisht arsimimit të nivelit botëror për studentët shqiptarë.

Në një konferencë për mediat, bashkë me Presidenten e KE, Ursula von der Leyen dhe rektoren e këtij Kolegji, Federica Mogherini, Kryeministri Edi Rama tha se “ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë”.

“Besoj fort që Europa për ne ka të bëjë me dijen, me të mësuarit sesi të gjitha problemet që kemi trashëguar nga e shkuara t’i zgjidhim. Si të gjejmë mënyrat e duhura për të ndërtuar institucionet tona. Si të transformojmë atë çka është më e rëndësishmja për një vend të ri në këtë sfidë si ne: dijen dhe shtetin. Gjithnjë mendoj sa të bekuar jemi që jetojmë në këtë vend, e sa të bekuar jemi që rrethohemi nga BE. Po të hedh një sy në të shkuarën tonë, nuk ka shumë arsye për të qenë të frymëzuar apo për të besuar në një të ardhme të shndritshme, e nëse ka një arsye që vende të tjera që vijnë nga një e shkuar e njëjtë e vështirë, nuk e gjejnë dot, sepse nuk janë në Europë, është Europa vetë. Askush nuk mund t’u mësojë atyre që gjenden në pjesë të tjera të botës, që duan të ecin përpara. BE është më i miri që e bën këtë, askush nuk mund ta shoqërojë një vend që të dalë nga e shkuara e vet e të sigurojë një shtet demokratik e funksional për qytetarët e vet siç bën BE. E di që nuk është aspak e lehtë, nuk ka asnjë mësues që t’i bën nervat copë si BE, nuk ka asnjë dyshim. Ma merr mendja që kolegji është në pararojë të kësaj, por nuk ka rrugë tjetër.

“Besoj se ky Kolegj është më shumë sesa një universitet që vjen këtu nga jashtë e që bëhet pjesë e sistemit tonë për të ofruar më shumë mundësi për një arsim të nivelit më të lartë, të klasit më të lartë për të rinjtë tanë. Sepse përveç kësaj është edhe një mësim më i thelluar për vetë BE, për rrugëtimin drejt tij. Për të gjitha këto mendoj se kemi të drejtën sot që të jemi të lumtur dhe besoj shumë më tepër të rinj shqiptar sesa 31 të tillë janë të prirur dhe duan të jenë pjesë e tij. Sigurisht plani është që numri të rritet në vitet në vijim, por numri nuk do të jetë asnjëherë aq i madh saç është kërkesa për të qenë pjesë, çka nënkupton se edhe konkurrenca do të bëhet gjithmonë e më tepër sfiduese”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share