Hapet rruga për në Banjskë

Rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit është hapur në mesditën e së mërkurës, kanë thënë gazetarët e Radios Evropa e Lirë në teren.

Më 24 shtator, në këtë fshat Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë ka mbetur i vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Rruga ka qenë e mbyllur prej asaj dite.

Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjet nëpër shtëpitë dhe objektet në dhe përreth fshatit Banjskë të Zveçanit, në pasditen e së martës.

Grupi, që fillimisht sulmoi Policinë e cila që po tentonte të largonte një bllokadë nga rruga, u strehua në manastirin e Banjskës prej ku vazhdoi sulmet ndaj Policisë.

Më 25 shtator, Policia e Kosovës ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që tha se i gjeti në Banjskë. Po ashtu, më 26 shtator, autoritetet e rendit bënë të ditur se në Banjskë kishin konfiskuar edhe më shumë armatime të llojeve të ndryshme.

Gjatë ekspozimit të armëve në Mitrovicë të Jugut më 25 shtator, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në dhe përreth manastirit në Banjskë janë gjetur armatim i kalibrave të ndryshëm, raketahedhës, eksplozivë, detonatorë emblema të ndryshme, dronë, letra ngjitëse me shenjën e KFOR-it, uniforma – disa prej të cilave me emblema të ushtrisë italiane – tabela veturash me akronime të qyteteve të ndryshme të Serbisë, granatahedhës dore (zolla), shumica e të cilave janë të prodhuara në vitin 2021. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share