Një zyrtar i lartë i Hamasit thotë se propozimi amerikan për armëpushim është në përputhje me kërkesat e reja të bëra nga Izraeli.
“Edhe një herë, ne kemi konfirmuar se pala pushtuese nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje dhe vazhdon ta shmangë dhe pengojë dakordimin dhe këmbëngul në shtimin e kushteve të reja që për të penguar marrëveshjen”, tha një zyrtar i lartë i paidentifikuar i Hamasit, raporton Times of Israel.
Hamasi thotë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes me Izraelin në këto kushte.
“Çdo marrëveshje duhet të garantojë ndërprerjen e agresionit kundër popullit tonë, tërheqjen nga Rripi i Gazës, ofrimin e ndihmës urgjente në formën e ushqimit dhe ilaçeve dhe arritjen e një marrëveshjeje reale për shkëmbimin e të burgosurve”, njoftoi Hamasi.
Theksojmë se gjatë ditës së djeshme, presidentit amerikan, Joe Biden, deklaroi se një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit është “më afër se ka qenë ndonjëherë”.
Ndryshe, Izraeli ka vrarë mbi 40 mijë palestinezë që nga 7 tetori i vitit të kaluar kur nisi një ofensivë në Gaza pas sulmit terrorist të Hamasit, ku mbetën të vrarë rreth 1200 izraelitë dhe u morën peng mbi 100 persona. /Telegrafi/