Masat e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, nuk do të japin efektin e duhur, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Arben Halili njohës i çështjeve të ekonomisë dhe profesor në Universitetin e Tetovës.
Ai konsideron se masa të tilla janë ndërmarrë edhe më parë, porse kanë dhënë efekt të kundërt pasi shumë biznese, pas skadimit të vendimit, i kanë ngritur çmimet.
Halili thotë se ngrirja e çmimeve të disa produkteve ushqimore jo vetëm që nuk i mbron konsumatorët, por edhe dëmton bizneset. Sipas tij, nxitja e prodhimit vendor dhe lejimi i konkurrencës së lirë janë mundësitë e vetme për stabilizimin e çmimeve ushqimore.
Më 20 shtator në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë në fuqi masat e reja për uljen prej 10 për qind të çmimeve të 50 produkteve ushqimore. Çmimet e tyre nuk mund të ndryshojnë deri më 30 nëntor. Në rast të shkeljes së vendimit parashikohen gjoba të larta deri në mbylljen e bizneseve.
Radio Evropa e Lirë: Z. Halili, si i vlerësoni masat e reja të Qeverisë maqedonase për uljen çmimeve të 50 produkteve ushqimore bazë dhe ngrirjen e tyre deri më 30 nëntor? Masa të tilla ishin ndërmarrë edhe më parë, por nuk kishim një stabilizim të çmimeve.
Arben Halili: Këto masa të serishme të ndërmarra nga Qeveria me pretendimin për mbrojtjen e konsumatorëve, janë të tepruara apo të dala jashtë mode, sepse edhe masat paraprake të ndërmarra nuk kanë dhënë ndonjë rezultat të drejtpërdrejtë. Ato nuk kanë ndikuar në kursimet e konsumatorëve apo blerjen e produkteve me çmime të pranueshme. Shteti në kohë të krizës ekonomike globale dhe të periudhës post-pandemike, nuk mund të sillet si nikoqir joadekuat me ekonominë shtetërore në përgjithësi.
Nuk mund të mbrohet konsumatori duke dëmtuar ekonominë… kufizimet i ngufasin nismat biznesore, pengojnë bizneset që të mos mund të realizojnë planifikimet e tyre. Dhe, nga kjo humbës do të dalë shteti, sepse sa më pak që biznesi është efikas, aq më pak taksa, tatime e dogana do të gjenerojë shteti.
Radio Evropa e Lirë: Atëherë, sipas jush, çfarë duhet të ndërmerret që të kemi një kontroll të çmimeve?
Arben Halili: Unë jam ithtar i asaj se shteti nuk duhet të bëjë kufizime të çmimeve, por duhet të kemi stimulim të prodhimit. Vetëm përmes stimulimit të prodhimit do të jemi në gjendje të mbajmë konkurrencën në treg në nivelin e duhur. Vetëm në këtë mënyrë stimulim i prodhimit do t’i japë më pas një dorë biznesit vendor, një hapësirë më të madhe konsumatorit se nga kush do të blejë dhe me çfarë çmimi.
Radio Evropa e Lirë: Masat e Qeverisë me ngrirjen e çmimeve gjithmonë kanë shkaktuar debate të ndryshme. A praktikohet një masë e tillë në ndonjë shtet tjetër dhe çfarë rezultatesh kemi?
Arben Halili: Personalisht, nuk njoh ndonjë praktikë të tillë, mbase dhe mund të ketë, por unë nuk e di nëse ka ndonjë shtet tjetër që ka ndërmarrë masa të tilla. Unë nuk e di se pse Qeveria maqedonase nuk sheh se kjo masë nuk është efikase. Ju mund të ndaloni biznesin që për tre muaj të ngrijë çmimet, por kush e ndalon biznesin që pas tre muajve t’i rrisë për dyfish çmimet. Prandaj, e them se nuk është masë adekuate ngrirja e çmimeve.
Jemi vend i vogël dhe nuk mund të luajmë me efikasitetin e bizneseve vendore përmes këtyre masave ad-hoc, duke treguar me pompozitet se gjoja ja, ne po mbrojmë dhe po i kufizojmë çmimet e disa produkteve të konsumit të gjerë.
Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht këtyre masave, çmimet në Maqedoninë e Veriut këtë vit kanë shënuar rritje deri 47 për qind, ndërkohë që në vendet e BE-së ato nuk janë rritur më shumë se 10 për qind, bazuar në vlerësimet edhe të Qeverisë. A mendoni se kjo është pasojë e, siç thatë, mosnxitjes së prodhimit vendor?
Arben Halili: Prandaj them se ne duhet t’i kthemi stimulimit të prodhimit vendor. Atje [në shtetet e BE-së] disa çmime mund të jetë rritur për 10-15 për qind, por prodhimet tjera në masën e 60, 70 apo 80 për qind janë vendore dhe nuk janë shtrenjtuar, ato janë stimuluar nga shteti, andaj edhe rritja e çmimeve të tyre është e ulët. Këtu, te ne, ndodh e kundërta. Ne tentojmë të mbrojmë konsumatorin duke mos pasur prodhim. Nga kush e mbrojmë konsumatorin?
Ne nuk mund të luajmë me kartën po mbrojmë çmimet dhe nga ana tjetër nuk ulim doganat. Me shtetet e rajonit ne kemi dogana të lira, por shumica e kompanive importojnë nga vendet evropiane dhe paguajnë 30-40 për qind doganë… Nëse një kompanie ia ulim doganën për 30 për qind, nuk besoj se ajo do të ishte aq e pandërgjegjshme që çmimet t’i mbajë në nivelin e tanishëm.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju të ardhmen ekonomike me këto masa që po ndërmerren nga Qeveria?
Arben Halili: Nëse duam si ekonomi të ecim para, duhet të stimulojmë prodhimin, të orientojmë mbështetjen shtetërore në sektorët që mund të kenë përparësi krahasuese dhe jo në çdo sektor që të mund të sjellë vota pasi këtu ndodh që masa të ndërmerren vetëm gjatë fushatave zgjedhore, gjë që e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen. Vetëm kështu mund të ketë efikasitet me kusht që edhe Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës të bëjë punën e tij, të kontrollohen kompanitë që të mos luajnë me çmimet. Dhe, kur ta kemi prodhimin vendor në sasi të mjaftueshme dhe cilësi të mirë, besoj se rregullat tjera mund të zbatohen shumë më lehtë.
Radio Evropa e Lirë: Po e përmendi sërish prodhimin vendor, a kemi ne kapacitete prodhuese që të mund të stimulohen nga shteti?
Arben Halili: Në qoftë se flasim për kapacitetin prodhues të kapitalit njerëzor, atë çdo ditë e më pak e kemi dhe kjo sigurisht se është rezultat i atyre masave paraprake të dështuara të shtetit.
Sot fuqia e lirë punëtore shkoi jashtë dhe tani kemi fuqi të shtrenjtë. Ne patjetër duhet të kemi kapacitete që të mund të jemi konkurrues, por njëkohësisht duhet të kemi kujdes që të mos mbështetet çdo lloj sektori. /REL