Hakerët rusë kanë sulmuar faqet e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Sipas njoftimit nga qeveria, cak i sulmeve ka qenë faqja e Presidencës dhe Kryeministrisë, të cilat edhe janë rikthyer shpejt në funksion.
Këto faqe janë sulmuar, siç ka njoftuar për televizionin publik ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas deklaratave që ai i ka dhënë kundër Rusisë.
“Ky grup i hakerëve rus ka zhvilluar sulm kibernetik kundër Kosovës si hakmarrje ndaj deklaratës time në mbështetje të Ukrainës”, ka deklaruar Maqedonci, i cili ka qëndruar në Poloni në Konferencën e mbrojtjes “Defense 24”.
Në reagimin e hakerëve rus përmendet fjalimi i ministrit Maqedonci, i cili ka thënë, sipas tyre, se “Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmë ushtarake Ukrainës”.
“Kosova është e gatshme t’i bashkojë përpjekjet kolektive për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Ata duhet të mendojnë më shumë për këtë…”, kanë shkruar rusisht këta hakera duke përmendur ministrin Maqedonci.
Kosova është solidarizuar me Ukrainën menjëherë pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të saj në shkurt 2022.
Shteti ka ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur dhjetëra runde sanksionesh ndaj Rusisë si dhe ka strehuar gazetare ukrainase në Kosovë.
Rusia është njëra prej mbështetësve kryesore të Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, sot ka njoftuar thënë se Rusia aktualisht po kryen një sulm hibrid ndaj Kosovës, përcjell Reporteri.net.
Gërvalla, përmes një postimi në rrjetin “X”, tha se sulmi hibrid rus ndaj Kosovës po vjen pas njoftimit të mbështetjes së Kosovës me pajisje ushtarake për Ukrainën.
“Rusia po e sulmon Kosovën në një mënyrë hibride sot, pas njoftimit tonë për mbështetje me pajisje ushtarake për Ukrainën, në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus. Ne e dimë nga gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”, ka shkruar Gërvalla.
Shtatorin e kaluar, Kurti kishte thënë se “aleatët e Rusisë”, përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një raport të organizatës Demokracia Plus, të publikuar më 2022, thuhej se Kosova “është subjekt i dezinformimit nga aktorë malinj të huaj, si Rusia, Kina dhe Serbia”.
Sulmet e fundit të raportuara kibernetike ndaj institucioneve shtetërore kanë ndodhur në shtator të vitit të 2022. Qeveria e Kosovës tha atëkohë se sulmi e kishte origjinën jashtë vendit, por nuk tregoi se nga cili vend.
Institucionet shtetërore kanë qenë cak i sulmeve kibernetike edhe më herët.