Një ekip hakerësh izraelitë që gjatë 20 viteve të fundit ndikuan në rezultatet e më shumë se 30 zgjedhjeve në mbarë botën, duke përdorur hakerime, sabotazhe dhe dezinformata të automatizuara në rrjetet sociale, është zbuluar pas hetimeve të plota, shkruan “Guardian” i Londrës.
Sipas gazetës, ekipi drejtohej nga ish-operativi i forcave speciale izraelite Tal Hanan, i cili punonte me emrin e koduar “Horhe”.
Ai dhe ekipi i tij, të cilët përdorën emrin e koduar ‘Ekipi Horhe’, u zbuluan përmes incizimeve dhe dokumenteve sekrete deri te cilat “Guardian” kishte qasje.
Hanan, i paraqitur si një konsulent dhe biznesmen që kërkon të shtyjë zgjedhjet në një vend afrikan, tha se shërbimet e tij ishin në dispozicion të agjencive të inteligjencës, fushatave politike dhe kompanive private që kërkonin të manipulonin në mënyrë të fshehtë me opinionin publik.
Ai tha se shërbimet e ekipit të tij, të përshkruara nga të tjerët si “operacione të zeza”, janë përdorur në të gjithë Afrikën, Amerikën Jugore dhe Qendrore, SHBA dhe Evropë.
Në konsorciumin e gazetarëve që hetuan çështjen “Ekipi Horhe” bëjnë pjesë gazetarë të 30 mediave, mes të cilave “Mond” francez, “Shpigel” gjerman dhe “Pais” spanjoll.
Gjatë takimeve të regjistruara në fshehtësi, të cilat u zhvilluan gjatë një periudhe gjashtëmujore, Hanan dhe ekipi i tij diskutuan se si mund të mblidhnin informacione të intelegjencës mbi rivalët politikë, duke përfshirë përdorimin e teknikave të hakimit për të hyrë në llogaritë e Gmail dhe Telegram.