200 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit
200 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur në sulmet izraelite në Gaza gjatë 24 orëve të fundit.
Ushtria izraelite ka shkatërruar 30 objektiva në Khan Younis, duke përfshirë tunele nëntokësore dhe objekte të ruajtjes së armëve. Situata është edhe më e rëndë në Gazën veriore. Lagje të tëra janë shkatërruar dhe qindra mijëra njerëz janë larguar, ndërsa ata që kanë mbetur përballen me mungesë të madhe ushqimi dhe uji. OBSH ka bërë të ditur se nuk ka qenë në gjendje të dërgojë furnizime në Gazën veriore për 12 ditë.
Mjekët, pacientët dhe njerëzit e zhvendosur po ikin nga spitali kryesor në Gazën qendrore ndërsa luftimet midis forcave izraelite dhe militantëve palestinezë po intesifikohen gjithnjë më shumë. Grupet e tjera të ndihmës u tërhoqën nga Spitali i Martirëve Al-Aksa në Deir al-Balah ditët e fundit pasi është shumë i rrezikshëm. Kjo përhapi panik midis 6000 pacientë që strehoheshin atje, duke bërë që shumë të bashkoheshin me qindra mijëra që u larguan në jug të territorit të rrethuar.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi bisedime me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed Bin Zayed Al Nahyan, si pjesë e turit diplomatik për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të luftës në Gaza. Blinken ka planifikuar të zhvillojë bisedime në Arabinë Saudite me princin e kurorës Mohammed bin Salman në qytetin Al Ula përpara se të niset për në Izrael.
Blinken po bën udhëtimin e tij të katërt në rajon teksa u kërkon shteteve të përpiqen të ulin tensionet që kanë shkaktuar tashmë dhunë në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, Liban, Siri dhe Irak dhe kanë çuar në sulme të Houthi-ve në Detin e Kuq. Si pjesë e udhëtimit të tij, Blinken synon që kombet në Lindjen e Mesme të luajnë një rol në rindërtimin e pas luftës, qeverisjen dhe sigurinë e Gazës.
Ndërkaq e tensionuar mbetet situata edhe në kufi me Libanin ku një komandant i lartë i lëvizjes islamike Hezbollah është vrarë në një sulm izraelit me dron në Libanin jugor. Gjithashtu edhe në Bregun Perëndimor, shtatë palestinezë kanë mbetur të vrarë gjatë një bastisje izraelite në Jenin.
Klan News