Grubi – Koja: Propozimi hap procesin për integrim në BE

Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi ka pritur sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së, ambasadorin Klemens Koja.

Sfidat e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut, përmbajtja e propozimit të presidencës franceze për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë dhe protestat kundër këtij propozimi, ishin temat kryesore mbi të cilat u diskutua gjatë takimit.

Grubi potencoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të zhbllokohet rruga e integrimit të vendit përmes pranimit të propozimit të cilit i qëndrojnë në mbështetje 27 vendet e Bashkimit Europian dhe i cili nuk cënon veçoritë identitare, kulturore, gjuhësore, historike të popullit maqedonas.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se në këto momente vendimtare për ardhmërinë europiane të vendit duhet vepruar me racionalitet, duhet shfrytëzuar mundësia historike që të zgjidhet edhe kontesti i fundit që pengon vendin nga perspektiva europiane.

Grubi e informoi ambasadorin Koja për procesin transparent të konsultimit rreth propozimit francez dhe bashkë konstatuan nevojën e kompaktësisë vepruese, e angazhimit të gjithanshëm të të gjitha partive politike, botës akademike, sektorit civil dhe të gjithë qytetarëve për tejkalimin e sfidës së fundit të vendit. Është koha të triumfojë racionaliteti ndaj protagonizmit subjektiv për pikë të ulëta politike.

Në fokus të bisedës së Grubit dhe Kojës ishin edhe reaksionet që shkaktoi publikimi i përmbajtjes së propozimit me ç’rast Grubi dënoi dhunën e përdorur në protestat e organizuara, duke i cilësuar si të panevojshme dhe të dëmshme tentativat e manipulimit, krijimit të konfuzionit dhe destabilizimit të vendit.

Sipas tij, qytetarët e vendit nuk duhet të bien pre e provokimeve të agjenturave të caktuara të dezorientimit, pasi garancë sigurie dhe progresi kanë mbështjetjen e mbarë botës perëndimore.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share