Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten njoftoi se një ekip ekspertësh ndërkombëtarë, evropianë e amerikanë, kanë hartuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Ai tha se të njëjtin ua ka dërguar dy liderëve evropianë, Emmanuel Macronit të Francës dhe Olaf Scholzit të Gjermanisë, raporton Klankosova.tv.
E në Kosovë duket se politikanët u zunë në befasi nga ky njoftim i Ramës. Përpos deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj që tha ta ketë parë draftin, të tjerët u deklaruan se nuk kanë informacion mbi të.
Madje nga qeveria patën kritika për faktin se Rama nuk është konsultuar me ta në përgatitje të këtij propozimi.
Por, një tjetër politikan shqiptar që pretendon se e ka lexuar këtë propozim të Ramës është Artan Grubi, Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Për “Euronews Albania”, ai deklaroi se është një ndër personat që e ka parë draft-statutin e hartuar nga kryeministrin Rama për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Grubi zgjodhi të mos jepte detaje në lidhje me nismën, por shprehu publikisht se e mbështet atë.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut nënvizoi se iniciativa e Ramës i hap rrugë shtensionimit të situatës në veri dhe mund të çojë në njohjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
“E kam lexuar dhe kam komunikuar me autoritetet shqiptare dhe kam përkrahje të plotë për iniciativën e kryeministrit Rama, si një nismë e mirë për të vijuar drejt zgjidhjes së problemit në veri, por edhe përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke”, deklaroi Grubi.
Ai tha se ofron përkrahje të plotë për çdo përpjekje për të tejkaluar situatën e krijuar në veri të Kosovës, “por edhe midis Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe midis Kosovës dhe bashkisë ndërkombëtare dhe veçanërisht SHBA-së në rrethanat e reja të krijuara”.
“Çdo iniciativë dhe nismë mbi të cilën mund të ndërtohen marrëveshje të mëtejshme është e mirëpritur. Përgëzoj kryeministrin Rama për gatishmërinë që t’i prijë këtij procesi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme. Për ne zgjidhja e vetme është njohja reciproke mes dy shteteve dhe këtë e përkrahim dhe ky është qëndrimi ynë shtetëror”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. /KlanMacedonia