MICKOSKI: BDI NUK ËSHTË NË POZITË TË VENDOS KUSHTE
Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, pret që deri në fund të korrikut të nis në Kuvend procedura për ndryshimet kushtetuese. Ai gjatë një interviste për Tv24 ka theksuar se i gjithë procesi do të zgjasë maksimalisht pesë muaj. Sipas tij, për deputetët ndoshta nuk duhet të ketë pushim, për shkak se bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme për vendin, njofton KlanM.
Sipas Grubit, bëhet fjalë për amendamente teknike që bëhen për të vazhduar rrugëtimi evropian I vendit.
“Në Kuvend ka 120 deputetë, nuk ka 80. Vlerësoj Se të gjithë, me përjashtim të dy deputetëve, janë për integrimin e vendit tonë në BE, ashtu sic ishin për integrimin në NATO. Jam i bindur se nëse prezantohet mirë ky ndryshim Teknik i Kushtetutës, do të pranohej edhe nga qytetarët, jo vetëm nga deputetët” – tha Artan Grubi.
Grubi duke komentuar kërkesat e vazhdueshme të VMRO-DPMNE-së për të çuar në opozitë BDI-në, sic percjell KlanM, tha se 7 Qershorin e këtij viti, nuk do ta kujtojë si ditëlindjen e tij, por për deklaratën e Mickoskit.
“E falënderoj publikisht për mundësinë që ia dha BDI-së dhe vendit për të vazhduar drejt rrugës evropiane. U tregua se adresën e kanë diku tjetër, në Bruksel e Uashington. Shpresoj se do ta mbajnë fjalën. Ai nuk ishte i vetëdijshëm se kemi reaguar dhe se kemi pranuar sfidën. 7 Qershori do të mbahet mend për deklaratën se Mickoski dhe VMRO-DPMNE pranuan ndryshimet kushtetuese dhe pranuan që Bullgarët të kyçen në Preambulë, pranoi të mos ketë zgjedhje parlamentare” – deklaroi Grubi.
Nga ana tjetër, në një intervistë për Dojçe Velen, kreu I VMRO-DPMNE-së, sic percjell KlanM, ka theksuar se BDI-ja nuk është në pozitë të vendos kushte, duke përsëritur dy kërkesat që i janë adresuar LSDM-së.
“BDI e interpreton ndryshe, është problemi i tyre. Sa më shpejtë të shkojnë në opozitë, aq më mirë për Maqedoninë. Së dyti, zgjedhje në vjeshtë, mbështetje e opozitës për mbrojtje të identitetit maqedonas, pakoja ekonomike nga Komisioni Evropian, implementimi i aktvendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg për Maqedonasit në Bullgari”– tha Hristijan Mickoski.
Duke komentuar vettingun, kreu i VMRO-DPMNE-së ka propozuar që vetting të nis me politikanët dhe të afërmit e tyre. Sipas Mickoskit, miliarda euro peshon kapitali i politikanëve. Ai ka theksuar se vullnetarisht paraqitet i pari në këtë process. /KlanMacedonia/