Ajo është “gruaja publike” e ish-Emirit të Katarit dhe di si të sigurohet që të marrë të gjithë vëmendjen. Sheikha Moza bint Nasser Al-Missned është e dyta nga tre gratë e Sheikh Hamad Bin Khalifa Al Thani dhe mundi të fitonte një turmë të re fansash gjatë dasmës së Princit të Jordanisë.
63-vjeçarja zgjodhi dy veshje nga Valentino për dasmën mbretërore më 1 Qershor: një pallto voluminoze rozë dhe të zezë si dhe një fustan ngjyrë limoni për banketin.
Nëna e 7 fëmijëve ka në pronësi qiellgërvishtësin më të lartë në Europë, “The Shard”, Harrods dhe Fshatin Olimpik. Vendi i saj ka më shumë prona në Londër se sa kurora britanike, si dhe markën italiane Valentino, të cilën e bleu për 700 milionë Euro në vitin 2012.
Falë pasionit të saj për modën, Sheikha Moza, e cila është edhe nëna e Emirit aktual të Katarit, përshkruhet si një nga “gratë më elegante në botë”. Ajo ka thënë për “Financial Times” se stili i saj “respekton traditën” ndërsa është “modern dhe praktik”. 63-vjeçarja nuk ka një stilist sepse sipas saj “nuk mund të gjejë askënd që e di se çfarë do ajo”.
“Është terapia ime mendore. Kur jam e rraskapitur, shkoj te garderoba, shoh dollapët dhe përpiqem të kombinoj e rregulloj gjëra”.
Disa stilistë e kanë krahasuar elegancën e saj me atë të Zonjës së Parë, Jackie Kennedy. Ata janë shprehur se përveç bukurisë, Sheikha Moza është shumë e qetë, flet me zë të ulët dhe e di se çfarë kërkon.
E lindur në Katar dhe e rritur në Egjipt e Kuvajt, ajo ka ndjekur studimet universitare për Politika Publike dhe është nderuar me grada honorifike. Në vitin 2007 dhe 2010, “Forbes” e renditi si një prej “100 grave më të pushtetshme në botë”. Bashkëshorti i saj, Hamad Bin Khalifa Al Thani ka 24 fëmijë dhe 2 gra të tjera që nuk janë publike./tvklan.al