Mbretëria e Bashkuar ka rregjistruar shpërthimin më të madh të gripit të shpendëve i cili tanimë po vret edhe gjitarët.
BBC raporton se virusi ka çuar në vdekjen e rreth 208 milionë zogjve në mbarë botën dhe të paktën 200 raste të regjistruara te gjitarët. Drejtuesit e shëndetit publik paralajmërojnë se mutacioni tek gjitarët mund të jetë një kërcënim te njerëzit , por rreziku për publikun është shumë i ulët.
Autoritetet në Britani tanimë do të kryejnë testimet e nevojshme, jo vetëm te kafshët, por edhe te njerëzit. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar ka deklaruar se gripi i shpendëve është kryesisht një sëmundje e shpendëve, por ekspertët në të gjithë globin po shqyrtojnë rreziqet e përhapjes së tij në specie të tjera.
Në mbarë botën, virusi është gjetur në një sërë gjitarësh, duke përfshirë arinjtë në Amerikë , vizon në Spanjë, si dhe te delfinët dhe fokat. Në Mbretërinë e Bashkuar, Agjencia e Shëndetit të Kafshëve dhe Bimëve ka testuar 66 gjitarë, duke përfshirë foka, dhe zbuloi se nëntë prej tyre dhe dhelpra ishin pozitive me gripin e shpendëve. Besohet se ata ishin ushqyer me zogj të egër të ngordhur ose të infektuar me virusin. Ekspertët kanë bërë të ditur se duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërkombëtar në mënyrë që virusi të mos jetë i rrezikshëm për njerëzit.
Që nga tetori i vitit 2021, kur filloi shpërthimi i fundit, janë konfirmuar pesë raste tek njeëzit me virusin H5N1, duke përfshirë një vdekje në Britani dhe një vdekje në Kinë. Muajin e kaluar, një vajzë nëntëvjeçare në Ekuador u zbulua se ishte e infektuar me gripin e shpendëve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 20 vitet e fundit, ka pasur pothuajse 870 raste të infektimit të njerëzve me virusin e gripit të shpendëve H5N1 të raportuara nga 21 vende ku 457 ishin fatale. OBSH vazhdon të theksojë rëndësinë e mbikëqyrjes globale për të zbuluar dhe monitoruar ndryshimet virologjike, epidemiologjike dhe klinike që lidhen me viruset e gripit që shfaqen ose qarkullojnë.
Klan News