Greqia, një korridor evropian i gazit

Vendi pritet që të katërfishoje prodhimin deri në 2025 dhe do të rrisë dërgesat kryesisht nga SHBA dhe Egjipti

Greqia po bëhet një korridor evropian i gazit dhe mund të katërfishojë kapacitetin e saj të eksportit të gazit në vendet fqinje në vitet e ardhshme falë infrastrukturës së re në zhvillim.

Maria Rita Galli, shefja ekzekutive e operatorit të rrjetit të gazit të vendit u shpreh se në vazhdën e luftës në Ukrainë, Greqia këtë vit ka përgjysmuar importet e saj të gazit rus, duke rritur dërgesat e gazit natyror të lëngshëm, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti, në terminalin e saj të vetëm në Athinë.

Terminali, të cilin qeveria e ka quajtur “të domosdoshëm”, ka ndihmuar gjithashtu eksportimin e gazit në vendet fqinje, përfshirë Bullgarinë, e cila ndërpreu furnizimet ruse në fillim të këtij viti pasi refuzoi të paguante në rubla. Për të shkurtuar më tej varësinë e saj nga gazi rus, Greqia po i mbështet shpresat e saj në ndërtimin e të paktën dy njësive të tjera magazinimi dhe rigazifikimi (FSRU) të cilat mund të jenë funksionale deri në vitin 2024.

“Këto krijojnë kushtet që Greqia të rrisë gati katër herë nga tani deri në vitin 2025 kapacitetin e saj të eksportit drejt vendeve fqinje,” tha Galli gjatë Samitit Botëror të Eksporteve për Gazin e Lëngshëm në Athinë, duke shtuar se Evropa ka nevojë për zgjidhje fleksibël dhe një treg fleksibël për gazin.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se Greqia mund të ketë deri në katër terminale të reja të gazit natyror të lëngshëm në funksion në vitet e ardhshme. Ai tha gjithashtu se Evropa duhet të gjejë një “ekuilibër” të ri energjetik pas rritjes së çmimit të gazit në fillim të këtij viti dhe se gazi rus nuk mund të anashkalohet pa investime në terminalet e reja për gazin.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share