Greqia, me hapa të shpejtë drejt zgjedhjeve të reja

Edhe Tsipras refuzon të nisë negociatat për qeverinë e re

Ashtu si Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, edhe Alexis Tsipras, drejtues i partisë më të madhe opozitare Syriza, nuk e pranoi propozimin e Presidentes Katerina Saqellaropulu për sigurimin e votave nga partitë e tjera parlamentare për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës.

Tsipras u takua mëngjesin e kësaj të marte me Presidenten greke në zyrën e saj. Me refuzimin e krerëve të dy partive të mëdha, radha i takon Nikos Andrulaqis i PASOK-ut për të bërë përpjekjen e tij.

Gjasat janë që edhe kryesocialisti i renditur i treti në zgjedhje, të mos tentojë të negociojë. Ai e ka deklaruar qartë se nuk bën koalicion me Kryeministrin aktual. Punët mirë nuk i ka as me Tsiprasin, me të cilin pati debate në distancë të hënën kur u qartësua rezultati, mbi shkaktarin e humbjes së thellë të opozitës së majtë.

Fushata e e re zgjedhore pritet të nisë që javën e ardhshme pasi të shpërndajë parlamentin që mblidhet sa për procedurë të dielën ose të hënën, për të formuar qeveri të përkohshme.

Kodi Zgjedhor parashikon që në zgjedhjet e fund-Qershorit, fituesit t’i jepet një bonus prej 40 deputetësh, çka pritet të konsolidojë thellë shumicën qeverisëse të Demokracisë së Re.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share