ZGJEDHJET DHE GRATË NË POLITIKË
POLITIKANET PËRBALLEN ME GJUHË SEKSISTE – IDENTIFIKOHEN 3.380 KOMENTE NË FACEBOOK!
Nga janari deri në fillim të prillit të këtij viti, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), janë identifikuar me mijëra komente nëpër rrjete sociale që përfshijnë seksizmin, thirrjet për dhunë dhe shqetësime të tjera rreth pamjes fizike, fesë ose përkatësisë etnike kundër grave politikane.
“Ku do të shkoni pa mua, ministre, në Evropë do të shkoni?”, “Lepuroshe seksi”, “Bukuroshe”, “Çfarë të qeshure si aktore me qëllime të sinqerta”,”Bukuroshja (luanesha) maqedonase”, “Hajde vajzë shko bli diçka të bukur, nuk je ti për politikë”, “E qelbur, nga të gjitha anët del erë”.
Këto janë vetëm disa nga komentet në Fejsbuk të disa prej kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje.
Sipas NDI-së nga fillimi i vitit janë identifikuar 3.380 komente të gjuhës së urrejtjes në Fejsbuk që përmendin politikanet. Nga kjo shifër, 71% respektivisht 2.388 janë ndaj pesë politikaneve.
Rrjedha aktuale e fushatës vlerësohet si demokratike me disa përjashtime.
Shembulli më i freskët që u dënua nga shumë parti është kur për Gordana Siljanovska Davkovën, gjatë një tubimi u tha se “Nga gjyshja nuk bëhet nuse”.
Deputetet dhe kandidatet aktuale për deputete para do kohë në promovimin e fushatës “Rrumbullako JO për dhunën ndaj grave në politikë” të NDI-së e ndanë përvojën e tyre me gjuhën e urrejtjes, ofendimet, kërcënimet, komentet seksiste, madje edhe kërcënimet ndaj tyre dhe familjarëve të tyre.
ARBANA PASHOLLI – BDI
“Sa herë që thua se diçka nuk është kështu, do t ‘ju thonë se kjo është politikë. Për mua, kjo nuk është përgjigje e pranueshme. Mbështetja, për ne duhet të vijë nga kudo sepse ne jemi nëna, gra, vajza, shoqe, bashkëpunëtore”
Deputetja Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM-ja ndau mesazhe të ndryshme ofenduese, madje edhe kërcënuese që kishte marrë ndër vite.
SNEZHAN KALEVSKA VANÇEVA – LSDM
“Është djallëzisht e vështirë të jesh grua në politikë edhe kur je e re, edhe kur je më e moshuar dhe kjo është identike. Por, për fat të keq, nganjëherë edhe ne harrojmë veten dhe i nënshtrohemi politikave të larta mashkullore dhe përkulim kokën. Të lutem, hajde të mos e përkulim kokën. Varet nga ne”
Zhaklina Peshevska, deputete dhe kandidate për edhe një mandat e cila vjen nga VMRO-DPMNE-ja, ndau përvojën e saj edhe kur nuk punonte në politikë, por edhe si deputete.
ZHAKLINA PESHEVSKA – VMRO DPMNE
“Pas një nate pa gjumë kur fëmija ishte i sëmurë, u përballa me sulme në rrjetet sociale sepse shkova në Parlament me flokët e mbledhura në një bisht të zakonshëm. Problemi është se fëmija juaj vjen në shtëpi duke qarë dhe i mërzitur, dhe si prind t’i shqetësohesh”
Në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare garojnë dy gra për presidente të vendit dhe 753 kandidate për deputete.
Përballë tyre, sipas statistikave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, janë pesë kandidatë presidencialë dhe 1.002 kandidatë burra për deputetë.