Ekziston një ide shumë e përhapur se sikur gratë të lindnin më shumë fëmijë, nuk do të kishim derte demografike. Argumenti vazhdon me tej se po të rritej shkalla e lindjeve, kjo do ta stabilizonte numrin e popullsisë, madje do ta bënte të shtohej. Shumë shpejt, do të rritej përqindja e qytetarëve në moshë pune dhe të punësuar, duke na lehtësuar nga shqetësimet se sa të qëndrueshme janë sistemet tona për mbështetje sociale dhe pensionale. Përfundimisht, sipas këtij argumenti, shtimi i popullsisë do të nxiste rritjen ekonomike dhe begatinë.
Tingëllon bukur? Ndoshta. Veçse kjo pikëpamje i ka dy probleme themelore.
Së pari, gjasat që të ndodhë janë shumë të vogla. Zgjedhjet riprodhuese të individëve ndikohen nga një përzierje komplekse e faktorëve ekonomikë, socialë dhe kulturorë, si dhe nga preferencat personale. Qeveritë janë përpjekur të nxisin rritjen e natalitetit, kryesisht duke ofruar stimuj financiarë dhe mbështetje më të madhe për familjet. Por deri më tani, përkundër investimeve masive, asnjë vend në Evropë nuk ka arritur t’i afrohet nivelit që kërkohet për ndalimin e zvogëlimit të popullsisë, apo për shtimin e saj. (Edhe nëse kundër të gjitha gjasave një shtet të ketë sukses në rritjen e ndjeshme të natalitetit, kjo mundet thjesht të çojë në shtimin e emigracionit, nëse nuk ndryshon asgjë tjetër.)
Së dyti, dhe ndoshta kjo është më shqetësuese, përpjekjet që gratë të lindin më shumë fëmijë munden fare lehtë t’i vënë në rrezik të drejtat e tyre riprodhuese – madje edhe statusin e tyre të barabartë në shoqëri. Kur trupat e grave shihen thjesht si instrumente për arritjen e idealeve abstrakte të popullsisë, është afërmendsh që nuk janë larg edhe thirrjet për kufizimin e të drejtës për zgjedhje të grave në lidhje me fëmijët dhe familjen. Kjo kërcënon ta shuajë progresin e arritur për dekada me radhë në lidhje me barazinë gjinore, duke i kthyer gratë përsëri në statusin e qytetarëve të klasit të dytë, me vlerën e tyre të përcaktuar kryesisht nga roli i tyre në lindjen e fëmijëve dhe kujdesin për ta.
Por nëse nuk është zgjidhje që gratë të lindin më shumë fëmijë, çfarë mund ta rregullojë krizën demografike të Evropës Lindore? Shumëçka është në fije të perit, veçanërisht në këtë rajon ku dekada të tëra emigrim dhe natalitet i ulë i kanë lënë shtetet me popullsi në rënie dhe në plakje. Kjo nuk duhet parë si fundi i botës; shembujt e Finlandës ose Gjermanisë tregojnë se begatia krijohet edhe në shtete me popullsi të plakur dhe me fertilitet të ulët. Por, që kjo të ndodhë edhe në Evropën Lindore, është koha t’i jepet fund fiksimit të përhapur tek nataliteti, dhe rrjedhimisht tek trupat e grave, dhe ta kuptojmë se kjo teori është thjesht një shpërqendrim masiv që na pengon të gjejmë zgjidhje që funksionojnë realisht dhe nuk i cenojnë të drejtat e qytetarëve.
Thënë kjo, gratë duhet të jenë në qendër të asaj që duhet bërë për t’i menaxhuar me sukses ndryshimet demografike në rajon – por jo në mënyrën se si mund të mendojnë shumë njerëz. Vetëm përmes rritjes së barazisë gjinore, jo kufizimeve të të drejtave të grave, shtetet do të arrijnë ta përforcojnë gjendjen e tyre dhe ta kapërcejnë krizën demografike me të cilën po përballen.
Pse duhet të jetë kështu? Sepse diskriminimi dhe përjashtimi i përhapur i grave në shoqëri dhe ekonomi çon në humbje të kapitalit të vlefshëm njerëzor. Kjo i dobëson më tej këto vende, në të cilat fuqia punëtore dhe talentet veç janë zbehur nga dekada të tëra emigrim. Kjo sjell natalitet të ulët dhe emigracion të lartë, duke i përkeqësuar kështu sikletet demografike të rajonit.
Mendoni për vajzat që i dështojnë sepse prindërit preferojnë djem, për adoleshentet që braktisin shkollën për shkak të një shtatzënie të padëshiruar ose martesës së detyruar, për studentet që i nxisin të mos ndjekin një karriere në teknologji (sepse “është për djemtë”). Mendoni për gratë e reja nga të cila pritet të ulin shpinën e kryejnë të gjitha përkujdesjet dhe punët e shtëpisë, dhe të detyruara të zgjedhin mes lindjes së fëmijës ose punës, për nënat që anashkalohen kur flitet për ngritje në detyrë, për koleget me performancë të ulët në punë për shkak të dajakut nga burrat e tyre, për gratë e moshuara që jetojnë në varfëri dhe me shëndet të dobët për shkak të efekteve të akumuluara të diskriminimit gjatë gjithë jetës.
Të gjithë këto, të marra së bashku dhe të shumëzuara me miliona, sjellin humbje masive të talenteve, mundësive dhe produktivitetit të mundshëm, duke mos ua lejuar miliona qytetarëve që të marrin pjesë plotësisht dhe të kontribuojnë në shoqëri dhe ekonomi. Asnjë shtet nuk mund ta përballojë këtë, dhe aq më pak vendet me popullsi dhe në plakje dhe fuqi punëtore në rënie.
Efektet pozitive të barazisë gjinore për ekonomitë dhe shoqëritë janë kuptuar dhe dokumentuar mirë. Banka Botërore vlerëson se mbyllja e hendekut gjinor në fuqinë punëtore, për shembull, do ta rriste mesatarisht për pothuajse 20 për qind BPV-në për kokë. Një studim i kohëve të fundit i Kombeve të Bashkuara konstatoi se rritja e barazisë gjinore në fuqinë punëtore do të bënte shumë më tepër sesa kthimi në fertilitet më të lartë për mbështetjen e ekonomive në shoqëritë në plakje dhe me fertilitet të ulët.
Shtetet mund të bëjnë shumë për përmirësimin e barazisë gjinore dhe për forcimin e reziliencës së tyre ndaj ndryshimeve demografike – nga vendosja e politikave për familjen që sjellin përfitime për burrat dhe gratë deri te luftimi i dhunës në baza gjinore, nga adresimi i normave sociale që u japin më pak vlerë grave dhe vajzave deri te ndihma për kompanitë që t’i reformojnë politikat diskriminuese në vendin e punës.
Në Ditën e sotme Botërore të Popullsisë, shprehim vlerësimin tonë për numrin gjithnjë në rritje të shteteve që e pranojnë lidhjen mes barazisë gjinore dhe reziliencës demografike. Ne gjithashtu ofrojmë mbështetjen tonë për qeveritë e interesuara që t’ua mundësojnë grave dhe vajzave ta realizojnë potencialin e tyre të plotë, për të mirën e tyre dhe të familjeve të tyre, komuniteteve dhe shoqërive të tyre në përgjithësi. Me mbi 50 vjet përvojë dhe prani në rreth 150 vende të botës, UNFPA-ja, Fondi për Popullsinë i Kombeve të Bashkuara, është agjencia kryesore për këshillimin e qeverive për politikat për popullsinë, të drejtat riprodhuese dhe barazinë gjinore. Nisma jonë rajonale, Programi për Reziliencë Demografike, është dizajnuar për t’u mundësuar vendeve të lulëzojnë në botën e sotme me ndryshime të shpejta demografike.
Sot, në Evropë, shtetet me barazi më të lartë gjinore priren të jenë në krye të renditjes në aspektin zhvillimor, si dhe po arrijnë më së shumti suksese në trajtimin e ndryshimeve demografike. Po ashtu, ato kanë edhe shkallën më të lartë të fertilitetit.
Ndryshimet e popullsisë po i prekin të gjitha shtetet, por disa shtete janë gjendje t’i trajtojnë më mirë këto ndryshime sesa shtetet e tjera. Vetëm duke i bërë investimet për barazi gjinore pjesë kyçe të përgjigjes së tyre, shtetet do të arrijnë që ndryshimin demografik ta kthejnë nga një kërcënim në një mundësi, me përfitime për individët dhe shoqëritë, për gjeneratat që do të vijnë.
Florence Bauer është Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore