Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reguar për grafitet që janë shfaqur dje pas protestës në rrugët Bujanocit, ku shkruhet: ‘vdekje shqiptarëve’.
Kamberi ka thënë se pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq – Bocke dhe Drejtorit të Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc.
“Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc është shkruar një mbishkrim “Smrt siptarima” (Vdekje shqiptarëve) deri më tani, nga persona të panjohur.
Këta dy zyrtarë shtetëror, duke sulmuar të drejtën e shqiptarëve për protesta, për libra, për integrim, për njohje të diploma, për ndalesë të pasivizimit, për zhvillim ekonomik, kanë nxitur një valë reagimesh antishqiptare, kulmi i së cilës u arrit me këtë mbishkrim në institucionin shëndetësorë’, thuhet në reagimin e Kamberit.
Ai ka shtuar se akoma nuk ka asnjë reagim nga organet e rendit, që është veprim krejt ndryshe nga ai para disa ditëve, kur një komentues shqiptar në Facebook, ishte arrestuar “për nxitje të urrejtjes ndërnacionale” dhe të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.