Barlet Xhaferi – djali i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi dhe Albulena Abazi – bashkëshortja e kreut të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi u bënë prokurorë.
Në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publikë Barlet Xhaferi u zgjodh sot prokuror në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar, ndërsa Albulena Abazi prokurore në Prokurorinë Publike Kërçovë, përcjell KlanM.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Jolevski, tha se mbeten për t’u zgjedhur edhe dhjetë prokurorë.
Në prill të vitit të kaluar, komisioni kundër korrupsionit ka marrë një njoftim se Barlet Xhaferi ka arritur të regjistrohet në Akademi, pa i plotësuar kushtet për të, përkatësisht pa dhënë provimin e jurisprudencës. Kjo shkaktoi një stuhi reagimesh në opinion. I pyetur për biografinë e Barlet Xhaferit, Jolevski tha se dokumentacioni i plotë i kërkuar për ta është i vlefshëm, ndërsa pjesa tjetër nuk është në kompetencën e tyre./KlanMacedonia