Sukseset ndaj Republikës Çeke dhe Poloninë i ndoqi nga stoli, teksa me klubin ai nuk ndalet së shënuari. Ernest Muçi ishte sërish vendimtar për Legian e Varshavës, që mori një pikë tepër të vuajtur në shtëpinë e Piast. Sulmuesi i dalë nga akademia e Tiranës ishte protagonist në barazimin 1-1, në një duel ku Legia luajti për më shumë se 50 minuta me një futbollist më pak. Ishin vendasit ata që kaluan të parët në avantazh, për ta mbyllur fraksionin e parë të lojës në epërsinë minimale.
Gjithsesi, me rikthimin në fushë, Legia ishte më kërkuese dhe ai që gjeti sërish rrjetën ishte Muçi. Për herë të tretë në dy takimet e fundit, 22-vjeçari driblon bukur kundërshtarët dhe me pak fat tund rrjetën. Një gol që vlen shumë për Legian që mban kontaktet me kreun, ndërsa Muçi tregon edhe njëherë se është kandidat i fortë për një vend titullari në formacionin e kombëtares. Sulmuesi ka shënuar 5 gola në 13 sfida, për t’i dërguar sinjale Sylvinhos se mund të bazohet tek cilësitë e tij për duelin e radhës të kuqezinjve, atë të Nëntorit me Republikën Çeke në Tiranë.
Gol vendimtar shënoi edhe sulmuesi tjetër kuqezi, Arbnor Muçolli. 24-vjeçari në planet e Kombëtares Shqiptare i dha fitoren Goteborgut në shtëpi, 1-0 përballë Brommapojkarna. Me një panenka nga penalltia, Muçolli shënoi golin e vetëm për t’i dhënë tre pikëshin klubit suedez. Takimi i tretë radhazi ku sulmuesi shënon dhe golin e pestë në po kaq sfida. Efikasiteti i Muçollit po mban Goteborg larg zonës së ftohtë të renditjes, teksa rrit shpresat për të qënë i gatshëm për Sylvinhon në duelin e muajit të ardhshëm.
Klan News