Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka iniciuar procedurë kundër një 21 vjeçari nga Shkupi i dyshuar për veprat penale kundër sigurisë së njerëzve në komunikacion dhe mosdhënje të ndihmës në aksident trafiku, përcjell KlanM.
Siç raportohet, i dyshuari më 12 tetor, ka qenë duke vozitur veturën Mercedes E 320 si pjesëmarrës në komunikacion në rrugë publike, duke lëvizur përgjatë bulevardit “Nikola Karev” në drejtim nga lindja në perëndim. Ai nuk e ka përshtatur shpejtësinë e mjetit me vetitë dhe kushtet e rrugës, dendësinë e trafikut dhe kushtet e tjera të komunikacionit, në mënyrë që ta ndalojë me kohë para çdo pengese që mund të parashikonte në kushtet e dhëna.
“Me pjesën e përparme të veturës ka goditur trupin e këmbësorit – fëmijë i lindur në vitin 2013, i cili si këmbësor ka qenë duke kaluar rrugën jashtë një vendkalimi të shënuar për këmbësorë. Nga lëndimet e marra në aksident trafiku fëmija ka ndërruar jetë në Qendrën Emergjente, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndihmë personit të lënduar”, thonë nga PTHP.
Ndaj të dyshuarit nga prokurori kompetent është propozuar masa e arrestit shtëpiak dhe konfiskimi i dokumenteve personale dhe të udhëtimit./KlanMacedonia