GLLAVÇEV: TË ULEN TENSIONET DHE TË NORMALIZOHEN MARRËDHËNIET BILATERALE
Gjatë takimit në Uashington dy Kryeminstrat Glavçev dhe Mickoski janë dakorduar për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe ulje të tensioneve mes dy vendeve.
Kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev, nga Samiti i Natos në Uashington njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e vendit Hristian Mickoski. Gllavçev bëri të ditur se me Mickoskin janë dakorduar se duhet të ulen tensionet dhe të normalizohen marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve. Përveç uljes së tensioneve në marrëdhëniet e ndërsjella, Gllavçev ka kërkuar nga Mickoski, që të zvogëlohen edhe tensionet në deklaratat e politikanëve.
“Ne diskutuam se është e nevojshme normalizimi i marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe kthimi në nivelin e vitit 2017, kur u nënshkrua Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë. Nuk ka tensione mes qytetarëve dhe popujve të dy vendeve fqinje dhe nëse politikanët nuk ndihmojnë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve, nuk duhet t’i pengojnë ato”, tha Gllavçev.
Sipas Gllavçev vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet t’i respektojnë kërkesat, që sipas tij është qëndrim jo vetëm i Bullgarisë, por edhe i BE-së.
“Duhet të përmbushen edhe obligimet që janë marrë. Këtu nuk po flas vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E shihni që ne nuk i ndajmë ato. Qëndrimi ynë është edhe qëndrimi evropian që të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE duhet të përmbushin kërkesat e vendosura për to”, tha Gllavçev.
Takimin e konfirmoi në rrjetin social facebook edhe Kryeministri Hristijan Mickoski. Ai bëri të ditur se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të relaksohen, respektivisht besimi të kthehet në nivelin para vendosjes së vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut.
“U konstatua se marrëdhëniet duhet të relaksohen dhe theksova se duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe të shfrytëzojmë mundësitë për bashkëpunim. Temat e së shkuarës dhe hapja e pengesave të reja nuk do t’i afrojnë të dy popujt dhe se duhet të ndërmerren përpjekje dhe hapa që do të ngjallin besim midis shteteve si në periudhën para vetos dhe fillimit të politikës së pengesave”, shkroi Mickoski.
Me formimin e Qeverisë së re në RMV filluan edhe tensionet në raport me Bullgarinë për shkak se kryeministri Mickoski tha mund të ketë ndryshim të Kornizës negociuese, e cila u kritikua ashpër nga Sofja./tvklan.mk/