Gjykata Supreme e Bangladeshit anulon shumicën e kuotave për vendet e punës në qeveri

Gjykata Supreme e Bangladeshit ka anuluar të dielën shumicën e kuotave për vendet e punës në institucionet qeveritare, por nuk ka plotësuar tërësisht kërkesat e studentëve, të cilët kanë mbajtur protesta vdekjeprurëse në ditët e fundit. Autoritetet raportojnë se 151 persona kanë humbur jetën si pasojë e përleshjeve midis studentëve dhe forcave të sigurisë.

Këto protesta kanë shënuar një prej trazirave më të rënda gjatë udhëheqësisë së kryeministres Sheikh Hasina. Ushtarët janë duke patrulluar në gjithë Bangladeshin, pasi policia nuk ka arritur të mbajë rendin, ndërsa linjat e internetit dhe komunikimeve janë kufizuar ashpër që nga e enjtja, duke izoluar vendin nga pjesa tjetër e botës.

Gjykata Supreme, e cila ishte planifikuar të merrte vendim për këtë rast në gusht, ka dalë me një vendim të dielën për shkak të përshkallëzimit të dhunës. Vendimi i marrë muajin e kaluar për kuotat është cilësuar si “joligjor”. Gjykata ka zvogëluar kuotat për vendet e rezervuara të punëve qeveritare nga 56% në 7%, duke ruajtur 5% për fëmijët e “luftëtarëve për liri”, 1% për komunitetet fisnore dhe 1% për personat me aftësi të kufizuara. Pjesa tjetër e pozitave do të fitohen mbi baza meritore.

Studentët kanë kërkuar anulim të plotë të kuotave dhe kanë refuzuar të kthehen në klasa deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share