Siç njofton Gjykata Speciale, në Vendimin mbi Rishikimin e Paraburgimit të Isni Kilajt, gjykatësi i vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Gjykatësi i vetëm konstatoi se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi se asnjë prej kushteve të paraqitura nga mbrojtja e Kilajt dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga gjykatësi i vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e Kilajt për të penguar ecurinë e procedurave të DhSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera”, thuhet në njoftim.
Gjykatësi i vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të Kilajt në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme dhe se “rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të Kilajt nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri”.
Po ashtu, gjykatësi i vetëm mbajti parasysh se Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj dhe për veprat penale për të cilat ai konsiderohet i dyshuar mund të dënohet nga 1 deri në 5 vjet.
Ndonëse është liruar, Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DhSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga gjykatësi i vetëm, ndër të tjera, që ai: duhet t’i japë administratores garanci financiare në shumën 30 mijë euro si kusht paraprak për lirimin e tij; nuk duhet të largohet nga territori i Kosovës, përveçse me leje të një paneli kompetent të DhSK-së; duhet të japë adresën në të cilën do të banojë gjatë kohëzgjatjes së procesit gjyqësor dhe të paraqitet çdo javë në policinë e Kosovës; nuk duhet të bëjë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, deklarata publike lidhur me DhSK-në, ZPS-në dhe duhet të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore të kërkuar nga DhSK-ja dhe të përmbushë çdo vendim apo urdhër tjetër të Gjykatës.
Gjykatësi i vetëm theksoi se në rast të mospërmbushjes së ndonjë prej kushteve, do të lëshohet menjëherë urdhër për arrestimin e Kilajt.
Më 3 nëntor të vitit 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi se ka arrestuar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengimin e drejtësisë. Nga ajo kohë, Kilaj po mbahej në paraburgim.