Putin akuzohet për krime lufte. Më saktësisht për dëbim të paligjshëm të fëmijëve nga zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainë.
“Krimet dyshohet se janë kryer në territorin e pushtuar ukrainas të paktën nga 24 Shkurti 2022. Ka dyshime të arsyeshme për të besuar se Putin mban përgjegjësinë kriminale individuale për krimet e lartpërmendura”, thuhet në faqen zyrtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Po ashtu urdhër arresti u lëshua edhe për Maria Lvova-Belova, Komisionere në Zyrën për të Drejtat e Fëmijëve të Presidentit Putin. Edhe ajo dyshohet për krime lufte njësoj si Putin.
Gjykata shprehet se urdhër arrestet janë mbajtur sekret për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitarët si dhe për të ruajtur hetimet. Megjithatë, duke parë situatën, Gjykata shprehet se publikimi i tyre mund të kontribuojnë në ndalimin e krimeve të tjera në Ukrainë.
Urdhër-arrestet e sipërpërmendura janë lëshuar në bazë të kërkesave të paraqitura nga Prokuroria më 22 Shkurt 2023. Kujtojmë që Moska ka mohuar pretendimet për krime lufte gjatë pushtimit të Ukrainës.
BBC raporton se Gjykata Ndërkombëtare Penale nuk ka fuqi për të arrestuar këta dy të dyshuar. Ajo mund ta ushtrojë juridiksionin e saj brenda vendeve që kanë firmosur marrëveshjen me Gjykatën. Rusia nuk e ka firmosur, kështu që sipas BBC, nuk ka gjasa që Putin të ekstradohet./tvklan.al