Gjykata merr vendim për tre mjekët e arrestuar në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e sigurisë ndaj tre mjekëve të arrestuar në Prizren më datë 27 qershor 2023.

Ndaj të pandehurve me inicialet F.S., dhe G.S., është caktuar masa e arrestit shtëpiak, njofton Klan Kosova.

Ndërsa ndaj të pandehurit me inicialet S.R., është caktuar masa e lajmërimit në stacion policor.

Kjo sipas gjykatës, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe vepra penale “manipulimi me prova”.

Masa e sigurisë do të vlejë nga data 27.06.2023 dhe mund të zgjasë deri më datë 27.07.2023.

“Me datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë veprojnë haptazi në mënyrë të pakujdesshme si ekip i mjekëve me rastin e lindjes së fëmijës, derisa i është renduar dhe përkeqësuar gjendja e të dëmtuarës (pacientes), dhe e fëmijës, me ç ‘rast pasi kuptojnë për gjendjen e të dëmtuarës dhe fëmijës ekipi i mjekëve – të pandehurit intervenojnë me vonesë mirëpo fëmija i porsalindur nuk arrin të mbijetoj – vdesë”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

“Gjithashtu, më datë 27 qershor, rreth orës 03:40 në Prizren, në Spitalin Rajonal të Prizrenit të pandehurit në cilësinë e mjekëve kujdestarë fshehin, ose e bëjnë të pashfrytëzueshëm, tërësisht sendin – provën kryesore me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të sendit në procedurë zyrtare, në atë mënyrë që pas lindjes, të pandehurit placentën e fetusit të fëmijës të posa lindur i cili ndërron jetë pas lindjes, me qëllim që të fshehin çështjen e të provuarit lidhur me shkakun e vdekjes së foshnjës këtë placentë nuk e regjistrojnë dhe identifikojnë dhe e vendosin së bashku duke e përzier me placentat tjera në vendin ku i ruajnë, nuk e dërgojnë në IML së bashku me trupin e pajetë të foshnjës i cili është dërguar në autopsi me urdhër të prokurorit, e cila provë është vendimtare për përcaktimin e shkakut të vdekjes”, thuhet tutje.

Se a do të argumentohen këto fakte, do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share