Nga Gjykata Kushtetuese konfirmuan se kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrila Kacarska gjatë ditës së djeshme në stacionin policor ka raportuar për rrezikim të mundshëm të sigurisë pasi në vendin e saj të parkingut privat afër vendbanimit të saj është gjetur një thikë dhe sende tjera.
Siç kumtoi në konferencën e sotme për shtyp në Gjykatën Kushtetuese, zëdhënësja Hristina Belovska, u mbetet autoriteteve të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për kërcënim apo rastësi.
“Mund të konfirmoj se Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka denoncuar në polici se në pronën e saj respektivisht në vendparkimin e saj privat që gjendet në garazhin nëntokësor dhe ku ka patur edhe rreth 50 makina të tjera, është gjetur një thikë e ngulitur në ndërprerësen e rrymës dhe gjësende tjera që janë lëndë të hetimeve. Nëse bëhet fjalë për kërcënime apo ndonjë mesazh ndaj Kryetares së Gjykatës, duhet të tregojnë hetimet. Lidhur me pyetjet nëse ka patur kërcënime tjera, Kryetarja Kacarska konfirmon se ka patur shumë situata të pakëndshme në opinion dhe incidente të vogla që nuk janë denoncuar, kërcënime përmes rrjeteve sociale, por me insistimin e saj nuk ka lejuar që të reagohet, deri denoncimin e fundit”, tha Hristina Bellovska.