Gjykata e Lartë rikthen në Apel “vulën” e PD: Ka lejuar shkelje proceduriale që cënojnë vendimin e dhënë

Gjykata e Lartë ka kthyer për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit çështjen për vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Vendimi u mor në Kolegjin Civil, sipas të cilit Gjykata e Apelit ka “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cënueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

“Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.”

Sipas asaj që sqaron Gjykata e Lartë, konflikti i krijuar për logon dhe vulën e PD, mund të zgjidhet vetëm nga Apeli.

“Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë”, thuhet në vendimin e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Me prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin për rishqyrtim, çështja do gjykohet nga një tjetër trupë gjykuese. Gjithashtu ky vendim i Gjykatës së Lartë rrëzon dhe kërkesën e PD-së së Berishës për të mos legjitimuar grupimin e Enkelejd Alibeajt si palë në proces.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share