Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shqyrtoi kërkesën e ish-Presidentit Trump për të shmangur ndjekjen penale lidhur me akuzat për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.
Avokatët e Trump po argumentojnë se ish-Presidentët gëzojnë imunitet absolut për veprimet e tyre ndërsa janë në detyrë dhe sipas tyre ndjekjet e motivuara politikisht të ish-Presidentëve do të bëheshin diçka rutinë dhe presidentët nuk do të mund të funksiononin si komandantë të përgjithshëm, nëse do t’u duhej të shqetësoheshin se mund të ekspozoheshin ndaj akuzave penale.
Por nga ana tjetër gjykatat më të ulëta i kanë hedhur poshtë argumentet e Trump, përfshirë një vendim të njëzëshëm të një trupe prej tre gjyqtarësh të një gjykatë apeli në Uashington. Paraqitja e argumenteve para Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara u përqendrua kryesisht tek imuniteti, por vendimi se kur mund të merret nga Gjykata e Lartë mbetet e paqartë.
Të paktën pesë prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë, refuzuan pretendimin për imunitet absolut, por disa treguan gjithashtu se ish-presidentët mund të gëzojnë njëfarë imuniteti. Nëse kjo pasqyrohet në vendimin e Gjykatës së Lartë, kjo mund të kërkonte që gjykatat më të ulëta të zgjidhnin më pas çështjen nëse Trump gëzon imunitet për akuzat e ngritura ndaj tij dhe kjo do të bënte që gjyqi të shtyhej deri pas zgjedhjeve të nëntorit.
Ndërkaq paralelisht me argumentet e paraqitura në Gjykatën e Lartë në SHBA, David Pecker, ish-botues i tabloidit ‘National Enquirer’, dëshmoi në gjyqin penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump në Nju Jork, se kandidati i atëhershëm për president i kishte lënë përshtypjen se e njihte një modele të revistës Playboy që po përpiqej të shiste të drejtën e historisë së saj lidhur me pretendimet për një lidhje intime me Trump.