Kërkohej përjashtimi i tij nga zgjedhjet paraprake të republikanëve
Donald Trump ka fituar një betejë domethënëse me drejtësinë. Gjykata e Kolorados hodhi poshtë një padi të ngritur nga disa avokatë që përfaqësonin një grup votuesish të këtij shteti federal, ku kërkohej përjashtimi i tij nga pjesëmarrja në zgjedhjet paraprake mes republikanëve për kandidaturën për presidencialet 2024.
Kërkesa bazohej tek akuzat ndaj Trump-it si nxitës i sulmit të 6 Janarit 2021 ndaj selisë së Kongresit, në përpjekje për të penguar betimin e presidentit aktual Joe Biden. Avokatët kishin përzgjedhur një amendament të periudhës së luftës civile që përjashton nga mbajtja e detyrave shtetërore, pjesëmarrësit në kryengritje.
Ndonëse, gjykatësit e Kolorados pranuan se Trump ishte pjesëmarrës në kryengritje, argumentuan se ky amendament nuk përfshin çështjet presidenciale.
Padi të ngjashme kanë dështuar deri më tani edhe në Nju Hempshir, Minesota dhe Miçigan. Nëse Trump do të humbte në të paktën një nga këto procese, nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet paraprake të atij shteti çka do t’i sillte disavantazh në rezultatin në shkallë kombëtare, ku kryeson bindshëm sondazhet.
Tv Klan