Njerëzit që flenë pak orë rrezikojnë humbjen e pakthyeshme të shikimit, thotë një studim i ri.
Sipas “Sky News”, pak gjumë, përgjumja gjatë ditës dhe gërhitja mund të jenë të lidhura me një shans më të lartë për glaukomë, shkak kryesor i verbërisë. Studimi thotë se kjo mund të prekë 112 milionë njerëz në mbarë botën në 20 vitet e ardhshme.
Karakteristikat janë humbja e qelizave të ndjeshme ndaj dritës dhe dëmtimi i nervit optik, por nëse nuk trajtohet mund të përparojë në humbje të përhershme të shikimit.
Studimi, i cili përfshiu 409.000 njerëz, shpjegon se si lidhen gjumi i pamjaftueshëm dhe glaukoma. Tensioni i brendshëm i syrit, një faktor kyç në zhvillimin e saj, rritet kur një njeri qëndron i shtrirë dhe hormonet e gjumit nuk janë në ekuilibër.
Depresioni dhe ankthi, shpesh të lidhur me çrregullimet e gjumit, rrisin më shumë tensionin dhe kanë ndikim negativ mbi hormonin e stresit, kortizolin. Përsëritja ose zgjatja e episodeve të rënies së oksigjenit qelizor dhe mbytjes gjatë gjumit, shkaktojnë dëmtime fatale të nervit optik.
Studiuesit zbuluan se personat më të predispozuar janë të moshuarit dhe meshkujt, si dhe ata që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut, diabeti dhe duhanpirësit./tvklan.al