Marrëveshjen me Kishën serbe e konsideron krim e tradhti me paramendim
Dhjetë ditë para se në parlamentin malazez të hidhet në votim kërkesa e 36 deputetëve për shkarkimin e kryeministrit Abazoviç, presidenti Gjukanoviç ka ashpërsuar tonet ndaj tij. Firma e hedhur për marrëveshjen me Kishën serbe që u hodh më 3 Gusht, konsiderohet nga presidenti Gjukanoviç si një krim me paramendim të qartë, me vetëdije të plotë, me qëllim.
“Ai që kërkon që një bashkësie fetare t’i jepet një status i privilegjuar në krahasim me të tjerët, qoftë edhe kompetencat e së drejtës publike që i takojnë vetëm shtetit, nuk është për BE-në dhe as për Malin e Zi si pjesë e shoqërisë europiane. Ai është për një shtet teokratik, mesjetar i udhëhequr nga filozofia politike ballkanike”.
Gjukanovic ngre një pyetje të vështirë për votuesit malazezë nëse Abazoviç rrëzohet më 19 Gusht.
‘A do të jetë më e lehtë pasi të bjerë kjo qeveri? Nuk do të jetë kështu, sepse pothuajse çdo parti të cilës qytetarët i dhanë shumicën me një mandat në vitin 2020 ende beson se fuqia e saj politike varet nga shkalla e serbizmit që ajo demonstron publikisht dhe besnikëria ndaj shtetit të Serbisë.
Dhe, siç e dimë, platforma e tyre është Serbia e Madhe, pa Malin e Zi dhe malazezët”.
Për rrëzimin e qeverisë së Abazoviç në Kuvend më 19 Gusht kërkohet shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve, 41 vota. Kjo do të thotë se 36 nënshkruesit e nismës do të duhet të kërkojnë mbështetjen e të paktën pesë deputetëve të tjerë në sallën e kuvendit.
Klan News