Përpjekjet e Gjermanisë për të vlerësuar mundësinë e përdorimit të vendeve të treta për dëbimin e refugjatëve afganë dhe sirianë, si dhe shqyrtimin e kërkesave të azilkërkueseve jashtë vendit, janë kritikuar ashpër nga grupet për të drejtat e njeriut.
Kjo çështje ishte tema kryesore e bisedimeve mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe liderëve të 16 landeve të Gjermanisë në Berlin më 20 qershor. Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, tha gjatë një takimi të ministrave të brendshëm rajonalë se kanë nisur “bisedime konkrete” dhe se ajo është “e bindur” se do të gjendet një mënyrë për t’i dëbuar emigrantët afganë dhe sirianë të dënuar për krime të rënda.
Faeser shtoi se vendimi do të prekte vetëm një numër të vogël njerëzish dhe se, në rastin e shtetasve afganë, dëbimet do të kryheshin përmes vendeve të treta, si Uzbekistani.
Para takimeve, më shumë se 300 organizata ia dërguan një letër të hapur Scholzit, ku kritikuan ashpër nismën. “Ju lutem kundërshtojini qartazi planet për shqyrtim jashtë vendit të procedurave për azil”, shkruhet në letër, e cila mban nënshkrimet e Amnesty International Germany, Mjekëve pa Kufij dhe të grupit gjerman për avokim për emigrantët, Pro Asyl. Ata theksuan se planet për dëbimin e refugjatëve në vendet e treta jo-evropiane janë tejet kushtuese dhe paraqesin kërcënim për sundimin e ligjit.
Politikanë konservatorë dhe të së djathtës ekstreme kanë rritur kritikat ndaj refugjatëve, veçanërisht pasi një afgan 25-vjeçar u akuzua për vrasjen me thikë të një oficeri gjerman në fund të majit.
Gjermania ndërpreu dëbimin e afganëve pasi talibanët morën pushtetin në Kabul në gusht të vitit 2021. Gjithashtu, Gjermania është destinacion i madh për sirianët që kërkojnë t’i ikin luftës civile në Siri dhe sundimit të liderit Bashar al-Assad. Sirianët janë grupi më i madh i refugjatëve në Gjermani, pasi qindra mijëra janë lejuar në vend prej vitit 2015.