Gjermania ka thënë se “nuk do të dorëzohet” dhe se Evropa duhet “të përgjigjet me vendosmëri” pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump synon veturat e importuara dhe pjesët e tyre me një taksë 25% në tarifat e tij të fundit.
Bëhet e ditur se ekonomitë e tjera të mëdha botërore janë zotuar të hakmerren, me presidentin e Francës që e quajti këtë veprim “një humbje kohe” dhe “jokoherente”, Kanadaja e quajti atë një “sulm të drejtpërdrejtë” dhe Kina ka akuzuar Uashingtonin për shkeljen e rregullave të tregtisë ndërkombëtare.
Aksionet e prodhuesve të veturave nga Japonia në Gjermani ranë.
Në SHBA, General Motors ra me 7%, ndërsa Ford ra me më shumë se 2%.
Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa “shumë më të mëdha” nëse Evropa punon me Kanadanë për të bërë atë që ai e përshkruan si “dëm ekonomik” për SHBA-në.
Tarifat e veturave të reja do të hyjnë në fuqi nga 2 prilli. Taksat për pjesët janë vendosur të fillojnë në maj ose më vonë.
Raportohe se Trump ka mbajtur prej kohësh qëndrimin se tarifat janë pjesë e një përpjekjeje për të ndihmuar prodhimin amerikan dhe thotë se nëse veturat prodhohen në Amerikë nuk do të ketë “absolutisht asnjë tarifë”.
Ndërsa masat mund të mbrojnë bizneset vendase, ato gjithashtu rrisin kostot për kompanitë që varen nga pjesët nga jashtë.
SHBA importoi rreth tetë milionë vetura vitin e kaluar.
Meksika është furnizuesi kryesor i veturave në SHBA, e ndjekur nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja dhe Gjermania.
Analistët kanë vlerësuar se tarifat për pjesët vetëm nga Kanadaja dhe Meksika mund të çojnë në rritje të kostove me 4,000-10,000 dollarë në varësi të automjetit, sipas Anderson Economic Group.
Por, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se Bashkimi Evropian duhet të “përgjigjet me vendosmëri”.
“Duhet të jetë e qartë se ne nuk do të dorëzohemi para SHBA-së. Ne duhet të tregojmë forcë dhe vetëbesim”, shtoi ai.
Franca mbështeti këtë qasje të përbashkët, me ministrin e saj të financave që tha se Evropa duhet të hakmerret me tarifa ndaj produkteve amerikane.
Në një konferencë për shtyp të enjten, presidenti francez Emmanuel Macron tha se “nuk ishte koha” që SHBA të vendosë tarifa.
“E gjithë kjo është më tepër një humbje kohe dhe do të krijojë shumë shqetësime”, tha Macron, duke i kërkuar Trumpit ta rishqyrtojë.
Kryeministri kanadez Mark Carney i quajti tarifat një “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj vendit të tij dhe industrisë së tij të veturave, duke shtuar se “do t’i dëmtojë”.
Ndërkohë, Kina akuzoi Trumpin për shkelje të rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Nuk ka fitues në një luftë tregtare apo një luftë tarifore. Zhvillimi dhe prosperiteti i asnjë vendi nuk është arritur duke vendosur tarifa”, tha një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze.
Ka paralajmërime nga Japonia se do të ketë një “ndikim të rëndësishëm” në marrëdhëniet ekonomike që ndan me SHBA-në.
Një zëdhënës i qeverisë i përshkroi masat si “jashtëzakonisht për të ardhur keq” dhe tha se zyrtarët i kishin kërkuar SHBA-së një përjashtim.
Në Korenë e Jugut, një ditë përpara tarifës së fundit, Hyundai njoftoi se do të investonte 21 miliardë dollarë në SHBA dhe do të ndërtonte një fabrikë të re çeliku në Luiziana.
Trump e përshëndeti investimin si një “demostrim të qartë se tarifat funksionojnë shumë fuqishëm”.