Gjermania kërkon ringjalljen e industrisë së paneleve diellore

Ekspertët: Industria ka nevojë për një shtysë politike për të shkëputur varësinë nga importet

Gjermania kërkon ndihmë nga Brukseli për të ringjallur industrinë e saj të paneleve diellore dhe për të përmirësuar sigurinë energjetike të bllokut.

Dikur lider në botë për kapacitetin për të instaluar panele diellore, sot prodhimi i kësaj energjie është ndalur.  Vendimi i qeverisë një dekadë më parë për të shkurtuar subvencionet për industrinë bëri që shumë firma të largoheshin nga Gjermania ose të falimentonin.

Pranë qytetit lindor të Chemnitz në atë që njihet si Lugina Diellore e Saksonisë, Heckert Solar është një nga disa industritë që i ka rezistuar kohës . Kjo kompani sipas menaxherit Andreas Rauner ishte e vetmja që arriti të përballojë ndikimin e konkurrencës kineze  dhe humbjen e mbështetjes së qeverisë gjermane nëpërmjet investimeve private.

“Ne po shohim se sa fatale është kur furnizimi me energji është plotësisht i varur nga aktorë të tjerë. Është një çështje e sigurisë kombëtare,” tha për Reuters Ëolfram Guenther, ministri i shtetit për energjinë e Saksonisë.

Ndërsa Gjermania dhe pjesa tjetër e Evropës kërkojnë burime alternative të energjisë, pjesërisht për të kompensuar furnizimet ruse dhe pjesërisht për të përmbushur qëllimet klimatike, interesi është rritur për rindërtimin e një industrie që në 2007 ishte në kulmin e saj. Në vitin 2021, Evropa kontribuoi vetëm 3% në prodhimin global të paneleve diellore ndërsa Azia përbënte 93% sipas një raporti nga instituti gjerman Fraunhofer.

Konkurrenca e re nga Shtetet e Bashkuara ka rritur thirrjet në Evropë për ndihmë nga Komisioni Evropian, ekzekutivi i BE-së. Si përgjigje, Komisioni Europian ka miratuar krijimin e  një Aleance të Industrisë Diellore që do të nisë në dhjetor, me synimin për të arritur mbi 320 gigavat  të kapacitetit fotovoltaik deri në vitin 2025.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share