Gjermania do të blejë avionë luftarakë të prodhimit amerikan

Gjermania i ka dhënë dritën e gjelbër blerjes së dhjetëra avionëve luftarakë F-35, të prodhimit amerikan. Këto blerje do të jenë pjesë e rindërtimit të ushtrisë, proces që është nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës.

Komiteti për buxhet i Parlamentit gjerman miratoi tetë projekte në vlerë të përgjithshme prej 13 miliardë eurosh, përfshirë edhe blerjen e avionëve luftarakë F-35, që është paraparë të kushtojnë 10 miliardë euro.

Për shkak të sfidave aktuale të sigurisë, përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, bashkëpunimi i ngushtë në mes aleatëve është më i rëndësishëm se kurrë, tha Ambasada amerikane në Berlin, pas vendimit të autoriteteve gjermane.

“Programi gjerman i avionëve F-35 do të sigurojë vazhdimin e angazhimeve të Gjermanisë dhe do të garantojë mbrojtje më të fortë të NATO-s në të ardhmen”, tha Ambasada amerikane.

Ambasadorja Amy Gutmann shkroi në Twitter se partneriteti i mbrojtjes mes SHBA-së dhe Gjermanisë kurrë nuk ka qenë më i fortë. Ajo tha se ky partneritet është shtyllë kyçe e partneritetit transatlantik të NATO-s.

Të 35 avionët luftarakë pritet që të dorëzohen në Gjermani mes viteve 2026 dhe 2029, tha Ambasada amerikane.

Në mars, Berlini kishte njoftuar se dëshiron të blejë avionët amerikanë, për të zëvendësuar flotën e saj të Tornadove, që janë avionë më të vjetër. Por, Ministria e Mbrojtjes kishte ngritur shqetësime për këtë plan, duke paralajmëruar se mund të kishte “vonesa dhe kosto shtesë”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se lufta në Ukrainë e ka shtyrë Gjermaninë që ta bëjë këtë investim, që është investimi më i madh në ushtri që nga themelimi i saj pas Luftës së Dytë Botërore.

Komiteti parlamentar për buxhet po ashtu miratoi edhe blerjen e pushkëve të reja dhe radio-sistemee.

Kancelari Scholz, disa ditë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, kishte njoftuar se do të ndante 100 miliardë euro fonde për rindërtimin e ushtrisë. Paratë për blerjen e avionëve amerikanë do të merren nga ky fond. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share