Gjermania dhe aleatët përgatisin paketë ushtarake prej 1.4 miliardë eurosh për Ukrainën

Gjermania, së bashku me tre vende të tjera të NATO-s, po përgatit një paketë të konsiderueshme të mbështetjes ushtarake për Ukrainën me vlerë 1.4 miliardë euro, e cila pritet të dorëzohet deri në fund të vitit 2024.

Kancelari Olaf Scholz nënvizoi se Gjermania renditet e dyta për sa i përket mbështetjes ushtarake për Ukrainën, dhe po punon në mënyrë aktive për të forcuar mbrojtjen ajrore, transmeton Telegrafi.

“Ne presim të ofrojmë një paketë tjetër prej 1.4 miliardë eurosh për Ukrainën deri në fund të vitit, falë ndihmës së miqve tanë Belgjikës, Danimarkës dhe Norvegjisë. Ajo përfshin gjithashtu mbrojtjen ajrore – IRIS-T, Skynex, Cheetahs, artileri shtytëse, automjete të blinduara, dronw luftarakw, radarë, municione”, tha Scholz.

Ai tha gjithashtu se Gjermania planifikon të sigurojë 4 miliardë euro ndihmë të drejtpërdrejtë dypalëshe vitin e ardhshëm.

Scholz gjithashtu përmendi se vendet e G7 dhe Bashkimi Evropian po negociojnë një kredi shumëvjeçare prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila do të paguhet me të ardhura nga asetet e ngrira ruse. Kancelari shprehu besimin se Ukraina mund të mbështetet tek ai.

Scholz konfirmoi porosinë e 17 sistemeve shtesë të mbrojtjes ajrore IRIS-T të konfigurimeve të ndryshme për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Gjermania i dorëzoi Ukrainës javën e kaluar dy sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme dhe të shkurtër IRIS-T. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share