Gjermani, qindra policë bastisin pronat e mbështetësve të Hamasit

Qindra oficerë policie kontrolluan pronat e anëtarëve dhe pasuesve të Hamasit në Gjermani të enjten në mëngjes pas një ndalimi zyrtar për çdo aktivitet nga ose në mbështetje të grupit militant.

Qeveria gjermane e vuri në zbatim ndalimin më 2 nëntor dhe shpërndau ‘Samidoun’, një grup që qëndronte pas një ngjarjeje në Berlin, gjatë së cilës u festua sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Shërbimi i zbulimit gjerman vlerëson se Hamasi ka rreth 450 anëtarë në vend. Aktivitetet e tyre kalojnë nga shprehja e simpatisë dhe aktivitetet propagandistike deri tek aktivitetet financuese dhe mbledhja e fondeve për të forcuar organizatën jashtë vendit. “Ne po vazhdojmë aksionin tonë kundër islamistëve radikalë”, tha Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser.

“Duke ndaluar Hamasin dhe Samidoun në Gjermani, ne kemi dërguar një sinjal të qartë se nuk do të tolerojmë asnjë vlerësim apo mbështetje të terrorit barbar të Hamasit kundër Izraelit”.

Bastisjet, të cilat kryesisht u zhvilluan në Berlin, kishin për qëllim të zbatonin ndalesat dhe të hetonin më tej grupet e tilla, tha në një deklaratë ministria e brendshme gjermane.

Gjithsej 16 prona u kontrolluan nga 500 oficerë policorë në Berlin dhe në shtetet e Saksonisë së Poshtme, Rajn-Vestfalia Veriore dhe Shlesvig-Holshtajn.

Vetëm në Berlin, më shumë se 300 oficerë të policisë kryen kontrolle në 11 vende për të sekuestruar prova dhe pasuri. Shtatë kërkime ishin të lidhura me Hamasin dhe katër me Samidoun. Kontrollet u kryen kryesisht në shtëpitë e mbështetësve dhe në ambientet e një shoqate palestineze, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Gjermania ka ndaluar grupet që mbështesin antisemitizmin pas luftës së fundit Izrael-Hamas.

Të martën, policia bastisi shtëpitë e 17 personave në shtetin jugor gjerman të Bavarisë, të cilët u akuzuan për përhapjen e gjuhës së urrejtjes antisemitike dhe kërcënime që vinin në shënjestër hebrenjtë në internet.

Më 16 nëntor, policia gjermane bastisi 54 vendndodhje në të gjithë vendin si pjesë e hetimit të një organizate me bazë në Hamburg, e dyshuar për nxitjen e ideologjisë së udhëheqjes iraniane dhe ndoshta për mbështetjen e aktiviteteve të Hezbollahut në Gjermani.

Ministrja Faeser tha se a islamistët radikalë dhe antisemitistët “nuk duhet të ndihen të sigurt askund këtu”. Ajo tha se anëtarët dhe mbështetësit e Hamasit në Gjermani janë gjithashtu të përkushtuar për të ndikuar në debatin politik dhe social në vend.

Hamasi është zotuar të asgjësojë Izraelin dhe ka qenë përgjegjës për shumë sulme vetëvrasëse dhe sulme të tjera vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Pas sulmit të grupit në Izrael më 7 tetor, Izraeli u zotua të zhdukë Hamasin.

Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi Hamasin një grup terrorist në vitin 1997. Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore gjithashtu e konsiderojnë atë një organizatë terroriste./VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share