Gjermania ka ndërmarrë një nismë për të shtyrë të rinjtë që të marrin pjesë në aktivitete kulturore. Shteti gjerman ka planifikuar që t’i japë 200 Euro çdo personi që mbush 18 vjeç. Kjo konsiderohet si kupon për kulturën, një dhuratë për ditëlindje.
Synimi i Gjermanisë përmes kësaj nisme është që të inkurajojë më shumë të rinjtë për të marrë pjesë në aktivitete kulturore dhe së dyti për t’i bërë ata të heqin dorë nga zakonet e pandemisë së qëndrimit në shtëpi.
Kjo nismë pritet që t’i japë artit një shtysë financiare për t’u rikuperuar pas bllikimit nga pandemia.
Sipas ministres gjermane të Kulturës, Claudia Roth, janë 750 mijë persona që do të mbushin 18 vjeç në vitin 2023.
Kostoja e shtetit gjerman për këtë nismë është 150 milionë Euro, përveç 2.3 miliardë Euro që është buxheti vjetor i parashikuar për kulturën.
Ky kupon 200 Euro që do të jepet për 18-vjeçarët do të ketë afat 2-vjeçar dhe ata mund ta përdorin për të shkuar në teatro, koncerte, librari e të tjera aktivitete kulturore. Kuponët do të menaxhohen përmes një aplikacioni dhe një faqeje interneti.
Gjermania bëhet vendi i radhës në BE që aplikon këtë nismë, pas Francës, Italisë dhe Spanjës. /tvklan.al