Policia në Gjeorgji përdori gaz lotsjellës dhe granata trullosëse në orët e para të së mërkurës për të shpërndarë një protestë para parlamentit kundër një projekt-ligji për “agjentët e huaj”.
Dëshmitarët okularë në kryeqytetin e vendit ish-sovjetik, Tbilisi, panë policinë të bënte arrestime përgjatë rrugës kryesore që kalon në qendër të qytetit, Rustaveli.
Orë më parë policia ishte përleshur me demonstruesit, disa prej të cilëve hodhën bomba me benzinë dhe gurë. Më pas turma u mblodh jashtë parlamentit, ku disa vetë hoqën barrierat e lehta prej metali që ishin vendosur për të mos lejuar publikun t’i afrohej ndërtesës.
Ministria e Brendshme tha përmes një deklarate, se kishte të lënduar nga të dyja palët pas asaj që e quajti një protestë jashtëzakonisht të dhunshme dhe tha se policia do të merrte masa për shkeljen e ligjit.
Protestat shpërthyen pasi ligjvënësit dhanë mbështetjen e tyre fillestare për projekt-ligjin, për të cilin kritikët thonë se përbën një kthesë autoritare dhe mund të dëmtojë përpjekjen e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Duke folur në Berlin më herët të martën, kryeministri gjeorgjian Giorgi Garibashvili ripohoi mbështetjen e tij për projekt-ligjin, duke thënë se dispozitat e propozuara për agjentët e huaj përmbushnin “standardet evropiane dhe globale”.
Por shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se projekt-ligji ishte një “zhvillim shumë negativ” për vendin dhe mund të ndikojë seriozisht në marrëdhëniet e vendit me BE-në.
Mijëra njerëz, disa prej të cilëve valëvitnin flamujt e BE-së dhe Ukrainës, u mblodhën para Parlamentit për të dëgjuar kritikët që denonconin projekt-ligjin, sipas së cilit çdo organizatë që merr më shumë se 20% të financimit nga jashtë duhet të regjistrohet si “agjente e huaj”, ose të përballet me gjoba të konsiderueshme.
Kritikët thonë se ai është u ngjashëm me një ligj të vitit 2012 në Rusi që që atëherë është përdorur për të goditur disidencën.
Presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili, e cila ka thënë se do të vërë veton ndaj ligjit nëse vjen mbi tryezën e saj, tha se ishte në anën e protestuesve.
“Ju përfaqësoni një Gjeorgji të lirë, një Gjeorgji që e sheh të ardhmen e saj në Perëndim dhe që nuk do të lejojë askënd t’ia marrë këtë të ardhme,” tha ajo në një fjalim të regjistruar në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet për një vizitë zyrtar.
Mbrëmjen e së martës protestuesit u përplasën me zemërim me policinë, e cila më pas përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për t’i shpërndarë ata.
Disa bërtisnin: “Jo ligjit rus” dhe “Ju jeni rusë” ndaj politikanëve brenda parlamentit.
Rusia shihet si një vend armik nga shumë gjeorgjianë, pasi Moska mbështeti separatistët në rajonet gjeorgjiane të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në vitet 1990.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për këtë projekt-ligj që “do të shkelte disa nga të drejtat që janë thelbësore për aspiratat e popullit të Gjeorgjisë”./VOA