Gjendje e jashtëzakonshme në Ekuador: Vriten 5 policë, disa të tjerë merren peng

Të paktën 5 policë janë vrarë në Ekuador të martën si pasojë e disa shpërthimeve. Sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj transferimit të burgosurve nga burgjet e mbipopulluara dhe të dhunshme. Kjo ka bërë që Presidenti Guillermo Lasso të deklarojë gjendjen e jashtëzakonshme në dy provinca.

Lasso ka dënuar dhunën, përfshirë edhe atë që ndodh brenda burgjeve, mes bandave të drogës. Sulmet ndodhën pas mesnatës dhe në mëngjes. Gjithsej janë dëgjuar nëntë shpërthime në dy qytete të mëdha. Presidenti Lasso i ka quajtur ato si një deklaratë e hapur lufte nga bandat kriminale.

“Ajo që ndodhi mbrëmë dhe sot në Guayaquil dhe Esmeraldas tregon qartë kufirin, të cilin krimi i organizuar trans-kombëtar është gati ta tejkalojë. Ne po marrim masa të cilat i shqetësojnë ata, prandaj ndodh reagimi i dhunshëm”, tha ai.

Lasso e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për provincat e Guaya-s dhe Esmeraldas, ku forcat e sigurisë do të intensifikojnë operacionet dhe pas orës 21:00 do të hyjë në fuqi shtetrrethimi.

Vetë Lasso anuloi një udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pasojë e sulmeve. Përveç viktimave, Reuters shkruan se 7 oficerë policie u morën peng në Esmeraldas, nga të burgosurit gjatë protestës për transferimin e tyre. Ata u liruan pas negociatave.

Sistemi i burgjeve në Ekuador përballet me probleme prej dekadash. Por dhuna në burgje është rritur shumë që prej vitit 2020 duke vrarë të paktën 400 persona.

Autoritetet u shprehën se deri më tani janë transferuar 515 të burgosur nga burgu i Guayaquil, i cili është më i dhunshmi në të gjithë Ekuadorin./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share