Giulia Tramontano rezultonte e zhdukur prej të shtunës së shkruar nga Senago, në periferi të Milanos (Itali). Pas 5 ditësh kërkime, 29-vjeçarja, e cila ishte 7 muajshe shtatzënë, u gjet e masakruar me thikë në një ndërtesë të braktisur në Monte Rosa.
Trupi i saj u zbulua pas rrëfimit të të fejuarit, i cili gjatë orëve të natës të së mërkurës pranoi vrasjen duke thënë: “E vrara unë”. Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur vendin fqinj është Alessandro Impagnatiello. 30-vjeçari, sipas asaj që shkruan Corriere Della Sera, punonte si banakier në disa prej lokaleve më ekskluzive të Milanos.
30-vjeçari kishte një lidhje paralele dhe Giulia e kishte zbuluar këtë pikërisht të shtunën, pak orë përpara se të zhdukej. Ajo i kishte treguar motrës, nënës dhe një shoqeje. “Jam e trazuar, po shkoj të fle”, kishte qenë mesazhi i fundit që kishte dërguar, më pas nuk ishte përgjigjur më në telefon.
Të tre mësohet se kishin pasur edhe një takim. Aty Giulia kishte mësuar jo vetëm për tradhtinë, por edhe për faktin se edhe tjetra kishte mbetur shtatzënë, por e kishte abortuar.
Në momentin e parë të zhdukjes së Giulia-s, familjarët e saj u përballën me të fejuarin me të cilën patën deri në përplasje fizike. Fillimisht, siç shkruan Corriere, ata mendonin se 29-vjeçarja ishte larguar për shkak të tronditjes. Megjithatë sa më shumë koha kalonte aq edhe më shumë rritej ankthi i tyre për fatin e së resë.
Nisur nga kjo u vunë në lëvizje edhe autoritetet në Milano, që nisën kërkimet prej pasdites të së dielës. Kërkimet për Giulia-n u bënë me helikopter e mjete të tjera të zjarrfikëses e policisë./tvklan.al