Gjashtë kandidatë për lidershipin e Partisë Konservatore në Britani

Partia Konservatore e Britanisë ka filluar procesin e zgjedhjes së një lideri të ri për të zëvendësuar ish-kryeministrin Rishi Sunak, i cili u përball me disfatën më të madhe pas 14 vjetësh në pushtet në zgjedhjet e 4 korrikut.

Gjashtë prej tyre kanë marrë mbështetjen e nevojshme për t’u emëruar si kandidatë. Kandidatët përfshijnë ish-ministrat e Brendshëm, James Cleverly dhe Priti Patel, ish-ministrja për tregtinë Kemi Badenoch dhe ish-ministri i emigracionit Robert Jenrick.

Badenoch ka mbajtur më parë role ministrore në Departamentin e Thesarit, departamentin e arsimit dhe departamentin e strehimit. Cleverly ishte ministër i brendshëm në momentin kur konservatorët humbën zgjedhjet. Ai ka shërbyer edhe më parë si ministër i jashtëm dhe ministër i arsimit.

Jenrick së fundmi shërbeu si minister për emigracionin, por gjithashtu ka mbajtur role ministrore në departamentin e shëndetësisë, departamentin e strehimit dhe Thesarin. Patel dha dorëheqjen si ministre për zhvillimin ndërkombëtar në 2017 pas takimeve sekrete me zyrtarë izraelitë që shkelën protokollin diplomatik, por u kthye në qeveri në 2019 nën kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson si ministre e brendshme.

Ish-ministri për punën dhe pensionet, Mel Stride dhe ish-ministri i Sigurisë Tom Tugendhat (TAGEND HAT) janë gjithashtu kandidatë.  Tugendhat para se të zgjidhej në parlament në vitin 2015, shërbeu në operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan.

Ligjvënësit e zgjedhur të partisë do ta ngushtojnë garën në katër kandidatë në një votim më 4 shtator, me votime të tjera që do të mbahen më 9 dhe 10 tetor për të ulur numrin e kandidatëve  në dy. Dy të fundit do votohen nga të gjithë anëtarët e partisë. Sunak do të qëndrojë në krye të partisë Konservatore deri sa pasardhësi i tij të shpallet më 2 nëntor.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share