GRKOVSKA: TË KRIJOJMË MEKANIZMA PËR TË PARANDALUAR KORRUPSIONIN
Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, ka theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe përforcimi i sundimit të së drejtës janë në fokus të procesit të zgjerimit të BE-së, kurse institucionet e vendit, Qeveria dhe parlamenti të jenë shembull në këtë aspekt. Megjithatë, siç njofton KlanM, BE-ja ka shumë vërrejtje.
“Edhe pse shohim një progres në reformat që lidhen me sundimin e së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbetet zhgënjyese. Në Raportin e KE-së ka rekomandime të qarta se cfarë duhet të bëhet dhe cilat janë prioritetet. Të gjithë i dijmë, por deri tani shumë pak është bërë. I pamjaftueshëm është niveli i implementimit”, tha Dejvid Gir.
Në Dhjetor të vitit të kaluar, siç percjell KlanM, Zv/Kryeministrja Grkovska ngarkoi institucionet dhe Ministritë të dorëzojnë raporte se cilat masa do t`i ndërmarrin gjatë vitit lidhur me rekomandimet dhe gjetjet e Komisionit Evropian, Strategjisë Kombëtare dhe Komisionit Antikorrupsion.
“Të krijojmë sistem me mekanizma solid që do ta parandalojnë korrupsionin. Pres nga të gjitha institucionet që në afat sa më të shkurtër të fokusohen dhe të tregojnë përqindje më të madhe të implementimit të luftës kundër korrupsionit, e jo të jetë vetëm 10% sic thuhet në raportin e Antikorrupsionit”, tha Slavica Grkovska.
Komisioni Anti-Korrupsion, siç njofton KlanM, javën e kaluar prezantoi raportin për masat e implementuara konform Strategjisë Kombëtare për luftë kundër korrupsionit, të cilët, vitin e kaluar kishin shkallën e realizimit prej vetëm 10%.
Në Strategjinë Kombëtare, siç njofton KlanM, janë detektuar 54 probleme dhe parashihen 111 masa dhe 191 aktivitete që duhet të ndërmerren nga institucionet shtetërore./KlanMacedonia/