Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka thënë se ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, nuk po hapet tani, por vetëm po bëhen përgatitjet për momentin që është i përshtatshëm, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një intervistë dhënë mediumit TRT World, Gërvalla ka thënë se janë duke u bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme dhe po përgatitet situata që dita e hapjes së Urës së Ibrit të jetë një ditë gëzimi për të gjithë.
“Nuk po e hapim tani. Ne jemi duke u bërë gati për të hapur në një moment kur është e përshtatshme për qytetin, qytetarët dhe për vendin tonë. Pra derisa po përgatitemi, ne jemi duke i bërë të gjitha çështjet teknike që janë të nevojshme, sepse kjo urë nuk është përdorur për një kohë për automjete dhe ne jemi duke i bërë të gjithë hapat teknikë. Ne jemi duke u përgatitur në takimin me qytetarët në të dy pjesët e qytetit përmes kryetarëve dhe politikanë të tjerë. Pra ne jemi duke e përgatitur situatën që hapja e urës të jetë një ditë hareje për të gjithë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mes të korrikut njoftoi se synon të hap urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Megjithatë, vendet e QUINT-it deklaruan se nuk e mbështesin hapjen për trafik të Urës në këtë moment.
Kryeministri Kurti pati deklaruar se Kosova është e vonuar për shumë vite lidhur me këtë çështje, pasi është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.
Në deklaratat e tij, Kurti gjithmonë ka deklaruar se ura s’është kundër askujt, por vetëm për të gjithë qytetarët.
Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Kjo është kundërshtuar nga Qeveria e Kosovës.
Kryeministri Kurti ditë më parë ka thënë se për çështjen e urës është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.