Gërkovska për vendosjen e Angjushevit në “listën e zezë” të SHBA-së: Obligimi kryesor është i institucioneve vendore

Zëvendëskryeministrja e angazhaur për politika të sundimit të mirë, Sllavica Gërkovska lidhur me vendosjen e ish-zëvendëskryeminsitrit Koço Angjushev në “listën e zezë” të SHBA-së sot deklaroi se obligimi kryesor çdoherë është i institucioneve vendore, por se secila ndihmë ndërkombëtare është e mirëseardhur. Ajo përmendi se tashmë janë propozuar ndryshime në Ligjin për masa restriktive, të cilat kaluan në Qeveri, përveç sanksioneve nga BE-ja dhe KB-ja, të shtohen edhe sanksionet e SHBA-së.

“Edhe paraprakisht kam deklaruar se obligimi kryesor është i institucioneve vendore, por secila ndihmë nga institucionet ndërkombëtare, nga shtetet tona mike, posaçërisht SHBA-ja, të cilat janë partnere strategjike, është e mirëseardhur dhe pres që institucionet ndërkombëtare dhe vendore më tutje t’i ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme në pajtim me indikacionet. Tashmë propozuam dhe ajo kaloi në Qeveri, të bëhen ndryshime në Ligjin për masa restriktive, me ç’rast krahas sanksioneve nga BE-ja dhe KB-ja, do të shtohen edhe sanksionet nga SHBA-ja dhe ajo do të jetë vlerë shtesë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Gërkovska.

Departamenti amerikan i Shtetit e vendosi Angjushevin në “listën e zezë” për shkak të përzierjes së tij në korrupsion dhe e cilësoi si të papërshtatshëm në përgjithësi për hyrje në SHBA.

“Derisa e kryente funksionin e zëvendëskryeministrit, Angjushev e keqpërdori pozitën e tij zyrtare në dobi të interesave të tij private afariste, duke e minuar besimin e opinionit në Maqedoni të Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në kumtesën e publikuar nga Departamenti i Shtetit.

Ish-zëvendëskryeministri Angjushev, ndërkaq, në kumtesë drejt mediumeve i mohoi të gjitha dyshimet e shprehura nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe paralajmëroi se do ta ankimojë vendimin, ndërsa ambasadorja amerikane në vend, Anxhela Ageler porositi se do të pasojnë disa emra tjerë, por se u mbetet funksionarëve dhe qytetarëve të kërkojnë përgjegjësi.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share