“Gazi bën ballë më shumë, s’mund ta frikësojnë”, reagimet nga LDK pasi u sulmua kryetari i Pejës

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar sot në mëngjes fizikisht  nga dy persona. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. I pari i Pejës pas sulmit është lajmëruar përmes një postimi në Facebook ku ka treguar se është shëndoshë e mirë, shkruan Reporteri.net.

Reagime të shumta nga të gjitha partitë erdhën për sulmin ndaj Muhaxherit, por më poshtë Reporteri.net do të sjell një përmbledhje për reagimet që bënë kolegët e partisë së tij.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti, dhe të Istogut, Ilir Ferati, menjëherë pas sulmit kanë shkuar në Pejë në vizitë tek Muhaxheri.

Abdixhiku ka thënë se Muhaxherin e gjetën edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës , shkruan Reporteri.net.

“Vizituam mikun tonë Gazin dhe familjen e tij, në shtëpinë e tij në Pejë. E gjetëm edhe më të fortë e edhe më të vendosur në misionin e tij shembullor të udhëheqjes së Pejës – qytetit për të cilin punon me guxim, pasion e energji të pashterrshme.
I bëj thirrje edhe një herë autoriteteve të rendit e drejtësisë t’i marrin hapat e domosdoshëm dhe të menjëhershëm në zbardhjen e plotë të këtij akti të ulët; e në mbajtjen përgjegjës të autorëve që me dhunë e intimidim provojnë të ndalin një udhëheqës të lirë, me plot vullnet e energji”, ka shkruar Abdixhiku.

Para se ta vizitonte Abdixhiku kishte bërë një status në Facebook ku kishte shkruar se “Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë!”

“Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë”, kishte shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sulmin e dënoi edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili e quajti të papranueshëm dhe të dënueshëm.

“Sulmi fizik ndaj kryetarit të Pejës dhe nënkryetarit të LDK-së, Gazmend Muhaxheri, është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Përgëzojmë policinë e shtetit për efikasitetin dhe kërkojmë që ky rast të zbardhet deri në fund. #MeGazin”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili, poashtu ka reaguar duke thënë se kushdo që ka synuar ta sulmojë Muhaxherin me synimin e frikësimit, ka gabuar adresë,

“Gazi bën ballë më shumë se ç’ja pret mendja e mban trupi mediokërve që dhunën e kanë mjet. Janë të vegjël, tejet të vegjël karshi Gazit.
Kushdo që ka synuar ta sulmojë Gazin me synimin e frikësimit, ka gabuar adresë”, ka shkruar ajo.

Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Alush Gashi, e ka dënuar në termat më të ashpër sulmin ndaj Muhaxherit.

Gashi ka thënë se ky sulm është kundër vlerave demokratike dhe respektit për lidershipin paqësor.

“Në termat më të ashpër të mundshëm dënoj sulmin e paprovokuar fizik ndaj nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, përkushtimi i të cilit për paqen dhe shërbimin ndaj popullit është i admirueshëm. Ky sulm është kundër vlerave demokratike dhe respektit për lidershipin paqësor. Duke i uruar shërim të shpejtë mikut tim, Gazi, jam i bindur se sulmi i sotëm nuk do të sjellë frikë dhe nuk do të ndalë punën e tij të vazhdueshme për njerëzit. U bëj thirrje institucioneve të sundimit të ligjit të ndërmarrin veprimet e nevojshme”, ka shkruar Gashi.

Ka reaguar edhe zyrtari i LDK-së, Visar Azemi, i cili sulmin ndaj Muhaxherit e ka quajtur kërcënim për demokracinë dhe sigurinë.

Azemi ka thënë se lajmi për sulmin është i papranueshëm, derisa ka thënë se duhet bërë bashkë kundër dhunës dhe të kërkohet drejtësi për këtë rast.

“Lajmi për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është i papranueshëm. Një akti i tillë i dhunshëm është një kërcënim për demokracinë dhe sigurinë tonë.
Duhet të jemi të gjithë të bashkuar kundër dhunës dhe të kërkojmë drejtësi për këtë rast. Jemi afër kryetarit Muhaxheri dhe familjes së tij në këto momente të vështira”, ka shkruar ai.

Edhe deputeti Avdullah Hoti ka dënuar sulmin ndaj Muhaxherit, ku ka postuar reagimin zyrtar të LDK-së.

/Reporteri.net/.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share